Botë

Tajvani: Kina po i përdor stërvitjet ushtarake si plan për përgatitje të pushtimit

Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, ka thënë të martën se Kina po përdorë stërvitjet ushtarake që nisi, si shenjë proteste kundër vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, si pjesë të planit për t'u përgatitur për pushtim të ishullit të vetëqeverisur.

Në një konferencë shtypi në Taipei, Wu nuk ofroi afat kohor për pushtim të mundshëm të Tajvanit, për të cilin Kina pretendon se është i saj. Ai tha se Tajvani nuk do të frikësohej edhe pse stërvitjet e Kinës vazhduan duke shkelur shpesh vijën mesatare jozyrtare poshtë ngushticës së Tajvanit.

"Kina ka përdorur stërvitjet ushtarake për t'u përgatitur për pushtimin e Tajvanit. Ajo po kryen ushtrime ushtarake në shkallë të gjerë dhe lëshime raketash, si dhe sulme kibernetike, dezinformim dhe shtrëngim ekonomik, në përpjekje për të dobësuar moralin publik në Tajvan. Pas përfundimit të stërvitjeve, Kina mund të përpiqet të rutinojë veprimet e saj në përpjekje për të shkatërruar status quo-në afatgjatë në ngushticën e Tajvanit”, ka thënë Wu.

Ai ka shtuar se lëvizjet që janë parë, kërcënojnë sigurinë rajonale dhe sigurojnë një imazh të qartë të ambicieve gjeostrategjike të Kinës përtej Tajvanit, derisa ka kërkuar mbështetje më të madhe ndërkombëtare për ta ndaluar Kinën që të kontrollojë në mënyrë efektive ngushticën.

Presidenti amerikan Joe Biden, në komentet e tij të para publike për këtë çështje që nga vizita e Pelosit, ka thënë të hënën se është i shqetësuar për veprimet e Kinës në rajon, por nuk është i shqetësuar për Tajvanin.