Një gjykatë në Tajvan ka dënuar katër ushtarë, tre prej tyre që punonin në ekipin presidencial të sigurisë, me burgim deri në shtatë vjet nën akuzat për spiunazh për Kinën, ka raportuar “The Guardian”.
Ushtarët janë dënuar për shkeljen e sigurisë kombëtare duke dërguar “informata të brendshme ushtarake që është dashur të jenë të fshehura nga agjentët e inteligjencës kineze për disa muaj”, nga 2022-ta deri në 2024-tën, ka njoftuar Gjykata e Qarkut në Taipei.
Tre nga katër të arrestuarit kanë qenë anëtarë të njësitit për sigurinë e zyrës presidenciale, derisa i katërti ishte ushtar në komandën e telekomunikimit dhe informatave në Ministrinë e Mbrojtjes.
Sipas gjykatës, të katërtit kanë marrë pagesa nga rreth 7200 deri në 18,000 euro në këmbim të fotografimit të informatave me telefonat e tyre.
Të dyshuarit kanë punuar për njësite shumë të rëndësishme dhe të ndjeshme, por kanë shkelur detyrat e tyre në këmbim të ryshfetit, dhe kanë vjedhur sekrete duke i fotografuar, sipas gjykatës.
Numri i personave që ndiqen penalisht në Tajvan në dyshime për spiunazh për Kinën është rritur shumë viteve të fundit derisa organet hetuese civile dhe ushtarake kanë rritur hetimet për infiltrime dhe spiunazh. Shumica e të ndjekurve penalisht kanë qenë anëtarë të pensionuar të ushtrisë tajvaneze, të rekrutuar nga Pekini apo agjentët e tij në Tajvan.