Tajlandë

Tajlanda bën hap të madh drejt legalizimit të martesave të gjinisë së njëjtë

Dhoma e Ulet e Parlamentit te Tajlandes

Ligjvënësit në Dhomën e Ulët të Parlamentit të Tajlandës kanë miratuar me shumicë dërrmuese të votave një projektligj për legalizimin e martesave të të njëjtës gjini, raporton agjencia e lajmeve “AP”.

Kjo e bën Tajlandën vendin e parë në Azinë Juglindore që i legalizon martesat e gjinive të njëjta dhe vendin e tretë në Azi pas Tajvanit e Nepalit.

Projektligji kaloi leximin përfundimtar me miratimin e 400 nga 415 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që ishin të pranishëm, me 10 vota kundër, dy abstenime dhe tre që nuk votuan fare.

Sipas projektligjit, Kodi Civil dhe Tregtar do të ndryshojë fjalët “mashkull dhe femër” dhe “burrë e grua” në “individë” dhe “partnerë martese”. Me këtë projektligj ofrohen të drejta të plota ligjore, financiare dhe mjekësore për çiftet LGBTQ+.

Projektligji tani do të paraqitet në Senat, i cili rrallë refuzon legjislacionet që kalojnë në Dhomën e Ulët dhe më pas te mbreti për miratim mbretëror.

Ligjvënësit, megjithatë, nuk e miratuan përfshirjen e fjalës “prind” përveç “babait dhe nënës” në projektligj, për të cilën aktivistët thanë se do të kufizonte të drejtat e disa çifteve LGBTQ+ për të krijuar familje dhe për të rritur fëmijë.

Tajlanda ka luftuar me dekada për ta miratuar një ligj për barazinë martesore.

Qeveria e re e udhëhequr nga partia Pheu Thai, e cila mori detyrën vitin e kaluar, e ka bërë barazinë martesore një nga synimet e saj kryesore.