Botë

Tajfuni “Gaemi” i afrohet Tajvanit

Tajfun ne Tajvan

Foto: Associated Press

Tajvani po përgatitet për tajfunin “Gaemi”, duke i mbyllur tregjet e anuluar fluturimet, ndërsa ushtria po rri në gatishmëri në mes të shiut të rrëmbyeshëm. 

Raportohet për një të vdekur deri më tash, njofton agjencia “Reuters”.

Gaemi, që pritet të jetë stuhia më e fuqishme që do e godasë Tajvanin në tetë vjet, do ta prekë gjirin verilindor mbrëmjen e së mërkurës, thanë autoritetet e hidrometeorologjike të vendit.

Ata e përditësuan statusin e tij në tajfun të fuqishëm, ku erërat në qendër të tij pritet ta arrijnë shpejtësinë 227 kilometra në orë.

Pas kalimit të ngushticës së Tajvanit, ka gjasa ta godasë provincën kineze juglindore Fujian pasditen e së enjtes.

Një person ka vdekur nga një pemë e rënë, në qytetin jugor Kaohsiung, tha Departamenti i zjarrfikësit. Gjithashtu u raportua se 58 persona janë lënduar.

Në qarkun rural Yilan, ku tajfuni do të godasë në fillim, era dhe shiu janë bërë të fuqishëm, çka ka shkaktuar mbylljen e restoranteve ndërsa shumica e rrugëve janë zbrazur.
Puna dhe shkolla janë pezulluar përgjatë Tajvanit, me rrugët e boshatisura në kryeqytetin Tapiei.

Qeveria tha se më shumë se 4000 njerëz evakuuan nga zonat malore nga rreziku i rrëshqitjeve të dheut si shkak i shiut.

Gati të gjitha fluturimet u anuluan, së bashku me 227 fluturime ndërkombëtare, tha ministria e Transportit.