Dikur një nga vendet më paqësore në Amerikën e Jugut, Ekuadori u godit rëndë nga COVID-19 dhe kartelet kanë përfituar nga vendi i thyer nga pandemia dhe nga politika e korruptuar. “[Vrasja e Villavicencios] ishte tragjedi e tmerrshme”, thotë konsulenti politik Oswaldo Moreno. “Ajo shënon një pikë kthese në të cilën politika e vdekjes është tani shumë pjesë e kulturës këtu”
Mesazhi erdhi të dielën mbrëma në aplikacionin “Whatsapp”. “Mirëmbrëma Franki, këtu Jalisco New Generation [Kartel meksikan i drogës]”, shkruhej në mesazh me një spanjishte të dobët. “Nëse më bllokon, do të kesh probleme. Më duhen 6 mijë dollarë. Të kam në mbikëqyrje ty, gruan dhe fëmijët”.
Franklin Torres, kultivues bananesh, e injoroi mesazhin - pastaj, disa ditë më vonë, erdhi një tjetër mesazh. Këtë herë në numrin e bashkëshortes së Franklinit: “Thuaji burrit tënd të kryejë obligimin e tij, po ju shkruajmë nga burgu dhe ka njerëz që po ju shikojnë nga dritarja”.
Ani pse ka raportuar në polici krejt kërcënimet, Franklin ka pak besim se gjërat do të përmirësohen.
Si president i Federatës Kombëtare të Ekuadorit për kultivimin e bananeve, ai po i bën presion qeverisë që t'i lejojë ata të mbajnë armë për t'u mbrojtur.
“Këtu është e vështirë, nuk kemi 911 apo patrullë policie”, thotë ai. “Është më mirë që njerëzit e mirë të kenë armë, jo vetëm ata që janë të këqij”.
Ekuadori është eksportuesi më i madh i bananeve në botë dhe industria është fitimprurëse - arkat e bananeve janë mënyrë e preferuar e transportit të kokainës midis karteleve të drogës, nga portet e Ekuadorit dhe në Evropë e më gjerë.
Kartelet meksikane dhe kolumbiane janë infiltruar në bandat lokale në Ekuador, teksa luftojnë për rrugë fitimprurëse të drogës. Dikur një nga vendet më paqësore në Amerikën e Jugut, Ekuadori u godit rëndë nga COVID-19 dhe kartelet kanë përfituar nga vendi i thyer nga pandemia dhe nga politika e korruptuar.
Sipas Policisë Kombëtare, në gjashtë muajt e parë të vitit janë shënuar 3 mijë e 568 vdekje të dhunshme në Ekuador. Kjo është 70 për qind më shumë se në vitin e kaluar.

Dhe ndërsa vendi shkon drejt qendrave të votimit në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të dielën, krimi është në ballë të mendjeve të të gjithëve, sidomos pas vrasjes së javës së kaluar të një prej kandidatëve, Fernando Villavicencio.
“[Vrasja e Villavicencio] ishte tragjedi e tmerrshme”, thotë konsulenti politik Oswaldo Moreno. “Ajo shënon një pikë kthese në të cilën politika e vdekjes është tani shumë pjesë e kulturës këtu”.
Nuk ka shembull më të fuqishëm se Guayaquil, qyteti më i madh i Ekuadorit dhe shtëpia e portit më të madh të vendit. Është bërë epiqendra e problemeve të krimit pasi kartelet përfitojnë nga vendndodhja dhe logjistika e saj për të lëvizur drogën jashtë vendit.
Kandidati presidencial Daniel Noboa zgjodhi Durán, një nga zonat më të goditura të Guayaquil, për tubimin e tij të fundit të fushatës të enjten. Por ai e bëri këtë duke mbajtur jelek antiplumb. Gjatë rrugës, aty pranë pati shkëmbim zjarri që i futi të gjithë në panik - e tillë është jeta e përditshme në këtë qytet të mbushur me krime.
“Ne duhet të ndryshojmë gjendjen e sigurisë në Ekuador” i tha ai BBC-së përpara tubimit, duke shtuar se përparësia e tij nëse ai bëhej president do të ishte zgjidhja e papunësisë. “Problemi është se duke mos u dhënë njerëzve mundësi, ne po i ushqejmë këto organizata me anëtarë të rinj”
Por është detyrë e madhe për një vend të varfër si Ekuadori dhe është betejë e humbur kundër tregtisë fitimprurëse të drogës.

Në Durán është vendosur shtetrrethim pas rritjes së krimit. Pikat e kontrollit të policisë janë ngritur përgjatë rrugëve të njohura për trafikantët e drogës, por policia është e pajisur dobët në krahasim me bandat e drogës.
Në disa pjesë të qytetit, ndihet si zonë lufte. Në një qark, stacioni i policisë ka thasë me rërë të grumbulluar nëpër dritare, pasi bandat e sulmuan. Në një tjetër, rreth 20 makina patrullimi janë duke u ndryshkur në parkingun e makinave. Kapiteni Victor Quespás Valencia shpjegon se ata thjesht nuk kanë para për t'i rregulluar ato.
“Bandat duan të fitojnë territor. Kemi të bëjmë me vdekje shumë të dhunshme - njerëz që gjenden të varur nga urat ose të prerë në copa”, shpjegon ai. “Organizatat kriminale ndërkombëtare po rekrutojnë njerëz këtu - por ata kanë shumë para. Ka çekuilibër total midis krimit të organizuar dhe policisë që përpiqet ta ndalojë atë”.
Pra, a do të bëjnë këto zgjedhje një ndryshim në të ardhmen e Ekuadorit? Ky votim po mbahet një vit e gjysmë më herët se sa ishte planifikuar pasi presidenti Guillermo Lasso shpërndau Asamblenë Kombëtare me dekret për të shmangur procesin e shkarkimit të tij. Frika është se mes kaosit politik, dhuna mund të pengojë demokracinë.
“Kartelet janë organizata kriminale që nuk kanë ideologji”, thotë eksperti i krimit të organizuar Pedro Granja. “Ato janë organizata kriminale që lëvizin mallra të paligjshme, ata ndjekin të njëjtën logjikë si një kompani. Ata janë duke bërë një studim tregu për momentin - pastaj do të shohim nëse ata duan, ata mund të paralizojnë zgjedhjet”.

Pavarësisht zgjedhjeve, ato po paralizojnë jetën e njerëzve. Angie Fuentes jeton me katër fëmijët e saj në Durán. Hekurat në të gjitha dritaret në këtë lagje ju tregojnë gjithçka që duhet të dini për mungesën e sigurisë.
Vitet e fundit kanë qenë të vështira për Angie - babai i saj vdiq nga Covid dhe Guayaquil u godit rëndë. Trupat u grumbulluan në rrugë me autoritetet të paaftë për të përballuar numrin e madh të vdekjeve.
Por ndërsa vaksina Covid ndihmoi në frenimin e përhapjes së virusit, bandat kriminale tani po ofrojnë një lloj të ri vaksine siç e quajnë ata - dorëzoni paratë që kërkojnë kriminelët dhe në këmbim të zhvatjes, ju merrni imunitet nga dhuna.
Jo se është kaq e drejtpërdrejtë. Muajin e kaluar një fqinj u qëllua për vdekje jashtë shkollës së vajzës së saj, kështu që Angie i tërhoqi fëmijët e saj nga detyrimi për të ndjekur mësimin - por autoritetet refuzojnë të ofrojnë mësime virtuale nga shtëpia pavarësisht rreziqeve.
“Gjithçka që dua është siguria”, thotë Angie. “Kjo është e vetmja gjë që do të na lejojë t'i çojmë fëmijët tanë në shkollë pa rrezikuar të goditen nga një plumb endacak”.
Është luftë që ekspertët thonë se nuk ka fund, veçanërisht kur kërkesa për kokainë në Evropë dhe deri në Australi është rritur.
“Ju mund t’i jepni fund luftës civile dhe luftës midis vendeve”, thotë Pedro Granja. “Por t'i jepet fund trafikut të drogës është krejtësisht e pamundur, njerëzit do të vazhdojnë të marrin drogë”.