Botë

Sunak viziton Izraelin: Britania e Madhe qëndron me ju

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka arritur në aeroportin e Tel Avivit të enjten në mëngjes, duke konfirmuar mbështetjen e shtetit që udhëheq për Izraelin, pas shpërthimit të konfliktit me Hamasin.

Sunak ka thënë se sulmet e Hamasit më 7 tetor ishin “akt i papërshkrueshëm, i tmerrshëm terrorizmi” dhe përsëriti se Britania e Madhe qëndron me Izraelin, shkruan BBC.

“Pres me shumë padurim takimet e mia më vonë me kryeministrin dhe presidentin dhe shpresoj shumë që ato të jenë takime produktive”, ka thënë Sunak.

Për sulmin në spital në Gaza, Britania e Madhe ka thënë se është në pritje të hetimeve të plota. 

Sunak është tjetër lider i shteteve të fuqishme perëndimore që vizitojnë Izraelin që pas shpërthimit të konfliktit. Në Izrael ishte edhe presidenti amerikan Joe Biden e kancelari gjerman Olaf Scholz.

Konflikti mes Izraelit dhe Hamasit ka lënë mijëra viktima nga të dyja palët.