Botë

Sulmohet një shkollë tjetër në Gaza, shtatë të vdekur

Lufta në Gaza

Foto: Associated Press

Shtatë persona kanë mbetur të vdekur nga një sulm ajror izraelit në një shkollë që strehonte familjet e zhvendosura në qytetin e Gazës të dielën, kanë bërë të ditur zyrtarët palestinezë shëndetësorë.

Sulmi goditi shkollën “Kafr Qasem” në kampin e Beach rreth orës 11 të mëngjesit, thanë zyrtarët. Mes të vrarëve ishte Majed Saleh, zyrtar në ministrinë e Punëve Publike dhe Strehimit të drejtuar nga Hamasi, shtuan ata, raporton Reuters.

Ushtria izraelite ka deklaruar se sulmi kishte në shënjestër luftëtarët e Hamasit atje dhe se kishte përdorur mbikëqyrje ajrore dhe kishte ndërmarrë hapa të tjerë për të kufizuar rrezikun për civilët.

Hamasi, grupi militant islamik që sundon Gazën, ka mohuar rregullisht akuzat izraelite se përdor spitale dhe ndërtesa të tjera civile për qëllime ushtarake në luftën gati njëvjeçare.

Sulmi në Gaza ka ndodhur teksa po shtohet tensioni midis Izraelit dhe forcave të mbështetura nga Irani të Hezbollahut përtej kufirit me Libanin.

Në Rafah, afër kufirit të Gazës me Egjiptin, banorët thanë se tanket izraelite përparuan drejt pjesëve perëndimore të qytetit, ku ushtria ka operuar që nga maji, dhe zunë pozicione mbi majat e kodrave.

Kërkesat e Izraelit për të mbajtur kontrollin e vijës kufitare jugore midis Rafahut dhe Egjiptit kanë qenë një pikë e madhe pengese në përpjekjet e ndërkombëtarëve për të përfunduar një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit.

LEXO EDHE: