Një qytetar i huaj është arrestuar të hënën në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, pasi dyshohet se ka sulmuar me koktej molotovi hyrjen e ndërtesës së Ambasadës së Izraelit.
Policia ka bërë të ditur se sulmi ka shkaktuar një zjarr të vogël por jo pasoja në njerëz, raporton AP.
I dyshuari 34-vjeçar është kapur nga oficerët antiterrorizmit të Shërbimit Inteligjent të Rumanisë, para se policia të arrinte në vendngjarje, ka bërë të ditur policia në Bukuresht.
Sipas policisë, i dyshuari ka provuar po ashtu që t’ia vë flakën vetes.
Mediat lokale kanë raportuar se i dyshuari ishte me kombësi siriane.
Një zëdhënës i policisë i ka thënë kanalit lokal të lajmeve Digi24 se incidenti ishte i motivuar nga ankesat personale dhe jo nga konteksti ndërkombëtar i luftës së vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës.
Edhe Ambasada e Izraelit e ka konfirmuar incidentin përmes një deklarate, ku thuhet se kur zyrtarët e sigurisë e kishin kapur të dyshuarin “ai e kishte marrë koktejin e molotovit dhe e kishte hedhur në drejtim të derës së ndërtesës”.
Ambasada ka falënderuar sigurimin rumun dhe forcat e policisë për “përgjigje të shpejtë”.