Një aeroplan turk që pritej të evakuonte njerëzit është sulmuar në aeroportin e Sudanit, ka njoftuar Ministria turke e Mbrojtjes. Askush nuk është plagosur gjatë sulmit të aeroplanit, i cili është ulur në aeroportin Wadi Seidna. Ushtria e Sudanit ka fajësuar forcat paramilitare për sulmin dhe dëmtimin e aeroplanit turk, shkruan AP.
Forcat paramilitare kanë mohuar akuzat e ushtrisë, duke thënë se janë të angazhuara në vazhdimin e armëpushimit. Palët ndërluftuese janë pajtuar që të vazhdojë armëpushimi edhe për tri ditë me qëllim që të evakuohen shtetasit e huaj. Mirëpo armëpushimi kishte pak efekt, sepse aeroplanët e ushtrisë vazhduan të bombardojnë pozicionet e forcave paramilitare.
Në armëpushimin e mëparshëm nga Sudani janë larguar mijëra njerëz pasi shumë shtete kanë organizuar evakuimet. Ministria turke e Mbrojtjes ka thënë se do të vazhdojë përpjekjet për largimin e shtetasve turq nga shteti afrikan.
Qëkur kanë nisur luftimet para 14 ditësh, qindra njerëz janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.