Pushuesve në Bregun e Gjirit të Floridës u është kërkuar të jenë vigjilentë, pasi tre notarë janë sulmuar nga peshkaqenë në dy sulme të veçanta.
Siç raportohet, një gruaje i është amputuar një pjesë e krahut pasi është kafshuar të premten në Walton County në Floridan veriperëndimore, raporton BBC.
Më pak se dy orë më vonë, në një plazh tjetër, disa milje më në lindje, dy vajza adoleshente ishin thellë në ujë kur u sulmuan po ashtu.
Njëra nga vajzat pësoi "lëndime në pjesën e sipërme të këmbës dhe njërës dorë", ndërsa tjetra kishte lëndime të lehta në njërën nga këmbët, kanë bërë të ditur zyrtarët.
Autoritetet kanë patrulluar vijën bregdetare me varka dhe disa plazhe u mbyllën, megjithëse ato u rihapën të shtunën me flamuj vjollcë që paralajmëronin për rrezik.
“Incidenti i parë ndodhi rreth orës 13:20 me orën lokale të së premtes, kur një grua, rreth 45-vjeçare, u sulmua pranë plazhit WaterSound”, ka bwrw tw ditur distrikti i Zjarrit i South Walton.
Një pjesë e krahut të saj duhej të amputohej, bëri të ditur më vonë shefi i zjarrfikësve, Ryan Crawford në një konferencë shtypi, sipas CBS News.
Sulmi i dytë, ku u sulmuan dy vajza rreth 15 vjeç, ndodhi rreth orës 14:55 me kohën lokale pranë plazhit Seacrest, shtoi departamenti i zjarrfikësve.
Sipas Dosjes Ndërkombëtare të Sulmit të Peshkaqenëve të Universitetit të Floridës, rreth 70 deri në 100 sulme peshkaqenësh ndodhin çdo vit në mbarë botën, duke rezultuar në rreth pesë vdekje.