Botë

Sulmi në ambasadë dhe stabiliteti i brishtë në Ballkan

Derisa hetuesit përpiqen të gjejnë motivin e sulmit me granatë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Mal të Zi, shqetësimet se incidenti mund të thyejë stabilitetin e përmirësuar në Ballkan tregojnë se sa e brishtë mbetet situata.

Një veteran serb i luftës, 43 vjeç, hodhi një pajisje shpërthyes në kompleksin e Ambasadës amerikane në Podgoricë, më 22 shkurt, përpara se të hidhte veten në erë, tha policia malazeze.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se nuk e di nëse sulmi ishte menduar të jetë vetëvrasës e as motivin pas tij.

Por, ekspertët rajonalë thonë se sulmi nxjerr në pah se sa e paqëndrueshme mbetet situata në Mal të Zi, anëtarin më të ri të NATO-s, por edhe në rajon.

“Që nga 1 janari, kemi parë vrasje politike në Kosovë, sulm me bombë në Mal të Zi dhe paraushtarakë të trajnuar në Rusi që ndihmojnë riarmatosjen e regjimit të Millorad Dodikut në Bosnje. Temperatura po rritet në Ballkan, por pak në Bruksel ose Uashington janë të shqetësuar”, thotë Jasmin Mujanoviq, analist politik me seli në Durham të Karolinës Veriore.

“Të shohim se si do të zhvillohet kjo situatë, veçanërisht si tregim politik në kontekstin e konfrontimit më të gjerë midis Rusisë, Bashkimit Evropian dhe NATO-s në rajon. Shënjestra është shumë simbolike, marrë parasysh prapavijën, me sa duket, ushtarake të sulmuesit”, thotë Mujanoviq.

Edhe pse është qendër e një zone historikisht të paqëndrueshme të Evropës, Mali i Zi është ndarë nga Serbia në vitin 2006 pa dhunën që i ka shoqëruar lëvizjet e ngjashme të republikave të tjera ish-jugosllave.

Mali i Zi e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur – gjë që Serbia ka refuzuar ta bëjë – dhe po ashtu ka një popullsi të konsiderueshme ruse.

Megjithatë, ai është në proces të forcimit të bashkëpunimit me Uashingtonin, ndërsa është bërë anëtari më i ri i NATO-s në qershor të vitit të kaluar. Qasja e tij në Detin Adriatik e bën atë pasuri strategjike për aleancën e sigurisë, por anëtarësimi në NATO e ka irrituar Kremlinin, i cili po lufton të ruajë ndikimin në rajon.

Zyrtarët malazezë kanë akuzuar disa shtetas serbë dhe rusë për përpjekje për grushtshtet në vitin 2016, duke thënë se ata kanë planifikuar të vrasin kryeministrin dhe të instalojnë një udhëheqje pro-ruse që do të kthente prapa ofertën e NATO-s.

Incidenti në ambasadë po ashtu ndodhi derisa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ishte në vizitë dyditëshe në Serbi, vendin që po lufton të ruajë lidhjet e ngushta me Moskën, por që po përpiqet t’i bashkohet Bashkimit Evropian.