E përditësuar (14:51) - Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump u kërkoi të dielën amerikanëve që të qëndrojnë të fortë dhe të bashkuar pas sulmit ndaj tij.
Në një postim në “Truth Social”, Trumpi, i cili është sulmuar me armë zjarri në një tubim të shtunën në Pensilvani, tha se mezi pret të flasë nga Wisconsin, ku do të mbahet Konventa Kombëtare Republikane këtë javë.
“Në këtë moment, është më e rëndësishme se kurrë që të qëndrojmë të bashkuar dhe të tregojmë karakterin tonë të vërtetë si amerikanë, duke mbetur të fortë dhe të vendosur”, ka shkruar Trump.
Ky është postimi i tij i dytë që kur u qëllua dhe u plagos në veshin e tij të djathtë.
Nga sulmi ka mbetur i vdekur një pjesëtar i audiencës dhe të plagosur dy të tjerë.
Sulmuesi i Trumpit ishte i regjistruar si votues republikan që kishte dhënë donacione për demokratët
E përditësuar (10:09) - Personi i armatosur për të cilin autoritetet thonë se tentoi të vriste ish-presidentin Donald Trump ishte një republikan 20-vjeçar i regjistruar, i cili më parë kishte dhënë një kontribut të vogël në një grup të lidhur me demokratët, sipas të dhënave publike.
Thomas Matthew Crooks jetonte në periferi të Pittsburgh të Bethel Park, disa kilometra në jug të tubimit të Trump, gjatë të cilit, ai qëlloi ndaj ish-presidentit.
Ai ishte diplomuar në shkollën e mesme Bethel Park në vitin 2022, sipas një raporti të mediave lokale dhe një video të fillimit të shkollës.
Crooks ishte regjistruar për të votuar si republikan, sipas një listimi në bazën e të dhënave të votuesve të Pensilvanisë që përputhej me emrin, moshën dhe një adresë të Bethel Park që forcat e rendit po kërkonin të shtunën. Zgjedhjet presidenciale të këtij viti do të ishin të parat në të cilat ai do të mund të votonte.
Të dhënat e Komisionit Federal të Zgjedhjeve tregojnë se një donator i listuar si Thomas Crooks me të njëjtën adresë i ka dhënë 15 dollarë një komiteti të veprimit politik të linjës demokratike të quajtur Projekti Progresiv i Pjesëmarrjes, në janar të vitit 2021.
Sulmuesi ka gjuajtur në drejtim të Trumpit ndërsa ishin ulur në një çati të një ndërtese aty pranë, jashtë perimetrit të sigurisë së tubimit, përpara se të vritej nga agjentët e Shërbimit Sekret, sipas zyrtarëve të zbatimit të ligjit.
Një pjesëmarrës në tubim u vra dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.
E përditësuar (08:31) - Trumpi lirohet nga spitali pas tentativës për vrasjen e tij
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump është kthyer në shtëpinë e tij në New Jersey pasi u plagos në një tentativë për vrasje në një tubim të shtunën.
Të shtënat u dëgjuan teksa ai po fliste në ngjarjen në Pensilvani, duke shkaktuar panik në turmë, ndërsa agjentët e Shërbimit Sekret vrapuan për ta larguar nga skena ish-presidentin, raporton BBC.
Trumpi, i cili u shfaq më pas me një fytyrë të gjakosur, ka bërë të ditur se ishte qëlluar në vesh, duke përshkruar një "tingull fishkëllimë" dhe duke ndjerë një "plumb që çante nëpër lëkurë".
Burri i armatosur është vrarë nga Shërbimi Sekret.
FBI-ja ka thënë se ka identifikuar edhe të dyshuarin 20-vjeçar Thomas Matthew Crooks si "subjekt të përfshirë" në tentativën për vrasjen e ish-presidentit, Donald Trump.
Një spektator ka humbur jetën në tubim dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë. Autoritetet thonë se viktimat ishin të rritur.
Sulmi ndaj Trumpit ishte tentim-vrasje, thotë FBI-ja
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump është plagosur të shtunën në mbrëmje gjatë tubimit të tij në Butler, Pensilvani, derisa FBI-ja thotë se ishte një atentat. Sipas FBI-së, sulmuesi ishte 20-vjeçari, Thomas Matthew Crooks.
Një person i armatosur dhe të paktën një pjesëtar i audiencës kanë vdekur, ka bërë të ditur Shërbimi Sekret, dhe dy të pranishmit e tjerë janë plagosur rëndë, raporton CNN.
Trumpi ka thënë në rrjetet sociale se ai u qëllua dhe u godit nga një plumb në pjesën e sipërme të veshit të djathtë. Shërbimi Sekret ka thënë se ish-presidenti është i sigurt pasi u nxor nga skena me gjak në fytyrë.
Dëshmitarët okularë përshkruan një skenë "të përgjakshme" dhe kaotike.
FBI-ja ka thënë se sulmuesi qëlloi disa herë përpara se të vritej nga agjentët. Burime të zbatimit të ligjit kanë thënë për CNN se vrasësi ishte në një çati të një ndërtese jashtë vendit të tubimit.
Presidenti Joe Biden ka folur me Trumpin pas të shtënave. Bideni denoncoi dhunën derisa në një deklaratë më herët kishte deklaruar se ishte "mirënjohës" që Trumpi është i sigurt. Bideni, i cili planifikonte të qëndronte në Delaware për fundjavën, është kthyer në Shtëpinë e Bardhë më herët se sa ishte planifikuar, në mënyrë që të mund të vazhdonte të merrte informacione nga forcat e zbatimit të ligjit.
LEXO EDHE: