Ministri i Brendshëm sllovak, Matus Sutaj Estok, ka thënë se sulmi ndaj kryeministrit, Robert Fico, është ”politikisht i motivuar” dhe se vendimi ishte marrë “menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale”.
“Tentativa për vrasje është e motivuar politikisht", është shprehur Estok, raporton BBC.
Ai ka thënë se kryesi i sulmit “ka gjuajtur pesë herë” dhe se kryeministri është “në gjendje të rëndë”.
Fico në operacion prej më shumë se tri orësh, thonë zyrtarë sllovakë
Kryeministri sllovak, Robert Fico, është ende duke luftuar me jetë si pasojë e plagosjes me armë zjarri, ka deklaruar të mërkurën në mbrëmje Robert Kalinak, zyrtar nga ministria sllovake e Mbrojtjes.
Kalinak ka shtuar se "situata është e keqe" me shëndetin e tij, raporton BBC.
Ai ka thënë në një konferencë për media se operacioni po vazhdon prej tre orë e gjysmë.
Kalinak ka shtuar se populli i Sllovakisë ka qenë gjithmonë i njohur si toleran.
"Ajo që ndodhi sot është një stigmë që do të na ndjekë për shumë vite në vijim”, është shprehur Kalinak.
“Por për momentin të gjithë mendojmë për gjendjen e kryeministrit tonë Robert Fico”, ka shtuar ai.
Robert Fico është plagosur në një tentativë vrasje dhe është dërguar menjëherë në spital. I dyshuari për plagosjen është arrestuar.
Ngjarja ndodhi para Shtëpisë së Kulturës në qytetin Handlova, ku Fico përfundoi mbledhjen me kabinetin dhe po takohej me mbështetësit.
Fico dyshohet se është plagosur në bark, gjoks dhe në këmbë.
LEXO EDHE: