Sulmi i fundit raketor i Rusisë në qytetin Sumy, është sulmi më i madh ndaj civilëve sivjet në Ukrainë, ka raportuar të dielën BBC-ja. Dy raketa balistike goditën qytetin në verilindje të Ukrainës, duke i vrarë të paktën 34 persona dhe duke i plagosur 117 të tjerë, përfshirë një foshnjë.
Kreu ushtarak i Sumyt ka thënë se raketa e dytë shkaktoi më së tepërmi viktima kur shpërtheu në rrugë. Ekspertët thanë se raketat ruse me shumë gjasë ranë aty ku kishin për qëllim.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se dronët ukrainas janë rrëzuar mbi rajonin e Kurskut së fundmi. Për këtë sulm ka reaguar edhe Shtëpia e Bardhë.





Foto: The Associated Press
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se sulmi është kujtues tragjik se pse presidenti Donald Trump po përpiqet t'i japë fund luftës. Ai iu ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se homologu rus, Vladimir Putin, s'ka frikë të vazhdojë sulmet me raketa balistike.
Ai ka thënë se sulmi u krye kur të premten u bë një muaj që Rusia e hodhi poshtë propozimin e SHBA-së për një armëpushim të plotë dhe pa kushte. Sipas Zelenskyt, vetëm presioni ndaj Rusisë mund t'i ndalë luftimet.