Botë

Sulmet izraelite vrasin 12 persona që ruanin kamionët me ndihma në Gaza

Lufta ne Gaza

Foto: Associated Press

Të paktën 35 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, duke përfshirë 12 që ruanin kamionët e ndihmave, sipas mjekëve lokalë dhe autoritetet të Mbrojtjes Civile, të drejtuar nga Hamasi. 

Shtatë roje u vranë në një sulm në Rafah teksa mbronin kamionët e ndihmave nga vjedhja e dhunshme e armatosur, gjë për të cilën punëtorët e OKB-së thonë se është pengesa kryesore për marrjen e furnizimeve në Gazën jugore. Një tjetër sulm la të vdekur pesë roje në Khan Younis, raporton BBC.

Ushtria izraelite ka thënë se "ka kryer sulme të sakta ndaj terroristëve të armatosur të Hamasit", të cilët kishin planifikuar të rrëmbenin kamionët.

Në një sulm të veçantë izraelit, 15 persona u vranë pranë kampit të refugjatëve Nuseirat, ka bërë të ditur Mbrojtja Civile.

"Okupimi shënjestroi edhe një herë ata që siguronin kamionët e ndihmave”, ka deklaruar zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Mahmoud Basal për agjencinë e lajmeve AFP.

Ai ka shtuar se rreth 30 persona, shumica prej tyre fëmijë, u plagosën gjithashtu në dy sulmet.

Kamionët po transportonin miell në magazinat që i përkisnin agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (Unrëa), ka bërë të ditur Basal.

Kohët e fundit, punonjësit e OKB-së thonë se vjedhjet e dhunshme të armatosura kanë qenë pengesa kryesore për marrjen e ndihmës në pjesën jugore të Gazës. 

Hamasi thotë se sulmet ushtarake izraelite kanë vrarë të paktën 700 policë të ngarkuar me sigurimin e kamionëve të ndihmave në Gaza që nga fillimi i luftës së fundit, më 7 tetor 2023.

Izraeli filloi një fushatë për të shkatërruar Hamasin në përgjigje të sulmit të paprecedentë të grupit palestinez në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin rreth 1,200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.

Më shumë se 44,800 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të territorit të drejtuar nga Hamasi.

Pas disa muajsh përpjekjesh ndërkombëtare të dështuara për t'i dhënë fund luftës, ministri i Mbrojtjes i Izraelit i ka thënë homologut të tij amerikan se ekziston një shans për një marrëveshje të re që do të lejonte kthimin e të gjithë pengjeve të mbetura, përfshirë qytetarët amerikanë.