Të paktën një civil është vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur si shkak i sulmeve ruse në rajonin Sumy të Ukrainës, sipas autoriteteve ukrainase.
Ukraina raportoi në Telegram se gjatë natës dhe mëngjesit të së dielës, Rusia nisi 18 sulme në territoret kufitare të rajonit dhe se u regjistruan 47 eksplodime.
Reuters ka raportuar se ushtria ruse ka nisur sulmin raketor kundër një autokolone me kamionë të grurit në rrugën kryesore nga Sumy drejt qytetit Kharkiv.
Një kamionë mori flakë dhe 20 të tjerë u dëmtuan. Forcat ajrore të Ukrainës thanë në një deklaratë se kishin shkatërruar tetë nga 11 dronët rusë të përdorur gjatë natës.
E ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u ka kërkuar guxim të mjaftueshëm liderëve botërorë në platformën X, duke thënë se për ta ndaluar terrorin në territorin ukrainas duhet të mobilizohen forcat botërore.
“Rusia po terrorizon edhe një herë Kharkivin, duke goditur infrastrukturën civile dhe vetë qytetin”, ka shkruar presidenti ukrainas.
Sipas Zelenskyt, në Kharkiv deri më tani janë plagosur më shumë se 30 persona dhe janë duke u kryer operacione të shpëtimit.