Botë

Sulme masive ruse godasin Ukrainën ditën e dytë rresht, katër të vdekur

Sulm masiv rus në Ukrainë

Sulm masiv rus në Ukrainë / Foto: Reuters

Rusia ka vazhduar me një valë tjetër sulmesh në Ukrainë, një ditë pas një prej sulmeve ajrore më të mëdha të luftës, duke lënë të vdekur edhe katër persona. 

Alarmet për sulm ajror u lëshuan në orët e para të së të martës, pasi vëzhguesit ukrainas kanë zbuluar aeroplanët rusë që lëshonin raketa hipersonike. Ka pasur edhe sulme masive me dronë. 

Forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës kanë thënë se i gjithë vendi është nën kërcënimin e një sulmi me armë balistike.

Në një deklaratë nga Ministria ruse e Mbrojtjes është thënë se armatime precize me rreze të gjatë dhe me bazë detare janë përdorur për të goditur stacionet e energjisë dhe infrastrukturën përkatëse në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë në Kiev, Lviv dhe rajonet Kharkiv dhe Odesa.

Të paktën gjashtë persona kanë vdekur gjatë natës të së dielës deri të hënën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi më shumë se gjysma e rajoneve të Ukrainës u sulmuan nga dronë dhe raketa.

Edhe infrastruktura e energjisë elektrike u godit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në shumë qytete, ku u prekën edhe furnizimet me ujë.

Të hënën, Zelensky u bëri thirrje aleatëve perëndimorë, përfshirë Britaninë e Madhe, SHBA-në dhe Francën që të ndryshojnë rregullat e tyre dhe të lejojnë Ukrainën të përdorë armët e saj për të goditur më thellë brenda Rusisë.