Të paktën 19 persona kanë mbetur të vdekur në një sulm në pallatin presidencial të Çadit, ka njoftuar media shtetërore të enjten.
Në mesin e të vdekurve janë 18 sulmues, dhe një ushtar, teksa tre ushtarë të tjerë kanë mbetur të plagosur, raporton AP.
Sulmi të mërkurën mbrëma ndodhi ndërsa presidenti i Çadit, Mahamat Deby Itno ishte brenda pallatit, por autoritetet thanë se situata u vu shpejt nën kontroll.
“Situata është plotësisht nën kontroll. Nuk ka frikë”, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme, Abderaman Koulamallah ndërsa ishte i rrethuar nga ushtarë, në një transmetim të drejtpërdrejtë në Facebook të filmuar brenda pallatit presidencial të mërkurën vonë.
Sulmi përkoi me një vizitë të ministrit të Jashtëm kinez, Wang Yi, i cili përgëzoi Deby Itno për rivendosjen e rendit kushtetues.
Sulmi ndodhi rreth një javë pasi kombi afrikan mbajti zgjedhje parlamentare që supozohej të ndihmonin në rivendosjen e demokracisë, por partia kryesore e opozitës bojkotoi zgjedhjet. Rezultatet nuk janë shpallur ende dhe analistët kanë thënë se presin që zgjedhjet të ndihmojnë Deby Itno të konsolidojë kontrollin e tij në pushtet.
Deby Itno mori pushtetin si një sundimtar ushtarak pasi babai i tij, i cili kaloi tri9 dekada duke udhëhequr vendin, u vra duke luftuar kundër rebelëve në vitin 2021.
Deby Itno fitoi zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar teksa vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se ato nuk ishin të besueshme.