Pesë persona janë qëlluar me armë zjarri në një shkollë në Suedinë qendrore, ka raportuar BBC-ja të martën.
Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur në orën 13:00 në Orebro, 200 kilometra në perëndim të Stokholmit.
Policia suedeze ka bërë të ditur se katër persona janë dërguar në spital për trajtim, teksa nuk dihet niveli i lëndimit të tyre.
“Kjo aktualisht shihet si një tentativë vrasjeje dhe vepër e rëndë me armë”, ka thënë policia në një deklaratë.
Të shtënat duket se kanë ndodhur në një qendër arsimore për të rritur. Këto qendra frekuentohen kryesisht nga persona që nuk kanë mbaruar shkollën fillore apo të mesme.
Policia thotë se nxënësit e shkollave aty pranë po mbahen brenda "për qëllime sigurie" për shkak se rreziku nuk ka kaluar.
Artikulli do të plotësohet.
10 të vdekur nga sulmi në Suedi, konfirmon policia suedeze
Policia suedeze ka bërë të ditur se 10 persona kanë mbetur të vdekur nga sulmi në një shkollë në Orebro të Suedisë të martën.
“Tani për tani jemi duke i identifikuar të vdekurit”, ka thënë Roberto Eid Forest, shef i policisë lokale, raporton BBC.
Sipas Eid Forest, i dyshuari për sulmin nuk ishte i njohur për organet e zbatimit të ligjit dhe nuk kishte ndonjë lidhje me ndonjë grup bandash.
Policia po ashtu nuk beson se ka motive terroriste prapa sulmit. Eid Forest ka deklaruar se policia beson që sulmuesi ka vepruar i vetëm.
Fillimisht ishte raportuar se janë gjashtë të plagosur nga sulmi, në mesin e të cilëve edhe vetë sulmuesi. Ndërkohë më vonë është raportuar se në mesin e të vdekurve është edhe ai.
Policia nuk ka dhënë detaje të tjera për sulmin duke theksuar se janë duke u kryer hetime të mëtutjeshme.

Asnjë fëmijë në mesin e të lënduarve nga sulmi në Suedi
Autoritetet suedeze kanë njoftuar se nuk ka asnjë fëmijë në mesin e të lënduarve si pasojë e një sulmi me armë që ka ndodhur të martën në një shkollë, në Orebro të Suedisë.
Ndërkohë, numri i të hospitalizuarve ka arritur në gjashtë, raporton BBC.
Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, ka deklaruar se “kjo është një ditë shumë e dhimbshme” për vendin.
Njëri nga personat që po trajtohen në spital besohet të jetë sulmuesi.
Nuk dihen ende shkaqet e sulmit.
Pesë të plagosur nga sulmi në Suedi, njëri nga ta në gjendje të rëndë
Pesë persona kanë mbetur të plagosur nga një sulm me armë zjarri të martën brenda një shkolle në Orebro të Suedisë, ka konfirmuar policia në një konferencë për media.
Në mesin e të lënduarve besohet se është edhe sulmuesi, sipas policisë.
Policia ka thënë po ashtu se njëri nga të lënduarit është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Katër nga të plagosurit u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike.