Botë

Sulm i befasishëm nga Ukraina drejt caqeve ruse në Kursk

Helikopteri rus i shënjestruar nga autoritetet ukrainase

Ukraina ka iniciuar kundërsulm masiv në rajonin kufitar jugor rus të Kurskut, duke paralajmëruar Rusinë se "po merr atë që e meriton", raportoi CNN.

Andrii Kovalenko, kryetar i Qendrës Kundër Dezinformimit, ka thënë se forcat ukrainase kanë nisur sulme të befasishme ndaj forcave ruse në disa lokacione në tërë Kurskun, pesë muaj qëkur trupat e presidentit Volodymyr Zelensky depërtuan kufirin me Rusinë.

“Rajoni Kursk, lajm i mirë. Rusia po merr atë që meriton”, ka shkruar ai në rrjetin social X.

Për sulmet ka reaguar të hënën edhe presidenti Zelensky, duke thënë se trupat ushtarake po kryejnë operacione speciale ndaj caqeve ruse brenda territorit të Kurskut.

“Rusët kanë dislokuar njësitet e tyre më të forta në Kursk, duke përfshirë ushtarë nga Koreja e Veriut. Më e rëndësishmja ështe që kjo ‘fuqi punëtore nuk mund të ridrejtohet në fronte të tjera – as në rajonin e Donetskut, as kundër Sumyt, rajonit të Kharkivt ose Zaporizhizhias”, thuhet në reagimin e Zelenskyt.

Rusia, me qëllim që ta rikthejë zonën, ka angazhuar edhe ushtarë të Koresë së Veriut. Aty Zelensky pati thënë se janë vrarë mbi 38.000 ushtarë verikoreanë.

Autoritetet ruse pretendojnë se forcat e saj kanë zmbrapsur kundërsulmin e Kievit.