Botë

Suedia thotë se Rusia përbën rrezikun më të madh për të

Ushtria zvicerane

Shërbimi kombëtar i sigurisë i Suedisë “Sapo” ka thënë të martën se Rusia përbën kërcënimin më të madh për kombin skandinav, për shkak të qëndrimit të saj agresiv ndaj Perëndimit. 

Në raportin e saj vjetor, shërbimi shkruan se ndonëse anëtarësimi i Suedisë në aleancën ushtarake të NATO-s ka forcuar sigurinë e saj, ajo gjithashtu ka çuar në rritjen e aktivitetit të inteligjencës ruse.

Mirëpo Rusia mohon çdo keqbërje, raporton BBC.

Sapo ka thënë gjithashtu se situata e sigurisë në Suedi është serioze, me fuqitë e huaja që veprojnë në mënyra më kërcënuese, me luftë hibride, krahas incidenteve të ekstremizmit të dhunshëm.

Charlotte von Essen, kreu i Sapo, ka deklaruar se ekziston një "rrezik i prekshëm që situata e sigurisë mund të përkeqësohet më tej" në një mënyrë që mund të jetë e vështirë të parashikohet.

Suedia është bërë anëtare e NATO-s vitin e kaluar, duke e parë atë si garancinë më të mirë kundër Rusisë pas pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Atë kohë ministri i Mbrojtjes civile ka paralajmëruar se "mund të ketë luftë në Suedi" në të ardhmen e afërt për shkak të agresionit rus.

Ndërkohë të martën, Sapo ka thënë se aktivitetet e inteligjencës ruse kishin për qëllim kryesisht minimin e kohezionit midis anëtarëve të NATO-s, kundërveprimit të mbështetjes perëndimore për Ukrainën dhe anashkalimin e sanksioneve.

Ai ka thënë se këto aktivitete tregonin se Rusia po bëhej "gjithnjë e më shumë sulmuese dhe e prirur ndaj rrezikut" përballë një rritjeje të mbrojtjeve suedeze dhe më gjerë evropiane.

Von Essen ka shtuar se suedezët duhet të jenë vigjilentë në lidhje me "narrativat e përhapura antishtetërore dhe teoritë e konspiracionit" që synojnë të veprojnë si një forcë destabilizuese, duke shtuar se ishte "e rëndësishme që ne të mos normalizojmë situatën e re".

Në raportin e tij, Sapo ka përmendur incidente të dyshimta që përfshijnë infrastrukturën.

Një seri kabllosh nënujore dhe tubacione gazi janë dëmtuar në sulme të dyshuara që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, duke bërë që NATO-ja të nisë një mision monitorimi në det.

Shkelja e fundit e tillë u raportua muajin e kaluar pranë Gotland, ishullit më të madh të Suedisë.