Një iranian i dënuar në Suedi për krime lufte është liruar si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve mes dy vendeve.
Hamid Noury, i cili po vuante një dënim të përjetshëm, është kthyer në Teheran ndërsa Johan Floderus, një diplomat suedez, dhe shtetasi i dyfishtë, Saeed Azizi mbërritën në Stokholm vonë të shtunën në mbrëmje, raporton BBC.
Noury u arrestua në Suedi në vitin 2019 dhe u dënua për përfshirje në ekzekutimin masiv të të burgosurve politikë në Iran më shumë se tri dekada më parë.
Floderus u arrestua në Iran dy vjet më parë me akuzën e spiunazhit, ndërsa Azizi u arrestua nëntorin e kaluar dhe u dënua me pesë vjet burgim.
Marrëdhëniet midis Suedisë dhe Iranit janë përkeqësuar që nga dënimi i Nouryt.
Duke njoftuar shkëmbimin, kryeministri suedez, Ulf Kristersson ka thënë se Irani i kishte bërë Floderus dhe Azizin "dy pengje në një lojë cinike negociatash, me qëllim që të lironin shtetasin iranian Hamid Noury nga burgu në Suedi".
"Ai është dënuar për krime të rënda të kryera në Iran në vitet 1980”, ka deklaruar Kristersson.
Ndërkaq, Kazem Gharibabadi, sekretari i Këshillit të Lartë të Iranit për të Drejtat e Njeriut, ka thënë në një postim në X, të shtunën se Noury ishte "arrestuar ilegalisht" në Suedi, por tani ishte i lirë.
Noury u akuzua për krime lufte dhe vrasje në vitin 1988, kur, sipas prokurorëve suedezë, ai ishte ndihmës i zëvendësprokurorit në burgun Gohardasht në Karaj.
Ai ishte personi i parë që u përball me ndjekjen penale për pjesëmarrje në ekzekutimin e mijëra të burgosurve, gjë që struktura e Iranit nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht.