Prokurorët suedezë kanë akuzuar inteligjencën e Iranit për hakim të një operatori telefonik në vitin 2023, për të dërguar mesazhe që inkurajonin njerëzit të hakmerreshin ndaj protestuesve që kishin djegur kopjet e Kuranit.
Autoriteti prokurorial i Suedisë, ka thënë të martën se 15,000 mesazhe “që bënin thirrje për hakmarrje” janë dërguar në verën e vitit 2023 pas disa protestave në Suedi në të cilat bëhej përdhosja e Kuranit.
“Qëllimi ishte krijimi i ndarjes në shoqërinë suedeze,” ka thënë Autoriteti prokurorial, raporton The Guardian.
Në një deklaratë të veçantë, shërbimi i inteligjencës suedeze “Sapo” ka thënë se kishte përcaktuar se një grup hakerash kishte vepruar "në emër të Gardës Revolucionare iraniane për të kryer një fushatë ndikimi".
Fredrik Hallström, shefi i operacioneve në "Sapo", ka sqaruar se "qëllimi ishte, ndër të tjera, të shfaqej tabloja e Suedisë si një vend islamofob".
Më 1 gusht të vitit 2023, media suedeze ka raportuar se një numër i madh njerëzish kishin marrë mesazhe me tekst që bënin thirrje për hakmarrje ndaj njerëzve që kishin djegur librin e shenjtë mysliman.
Sipas prokurorëve, një hetim zbuloi se një grup i quajtur “Ekipi Anzu” dyshohet se qëndron pas operacionit.
Ata thanë se hetimi ishte mbyllur pasi u konsiderua e pamundur që të dyshuarit të sillen para drejtësisë.