Botë

“Süddeutsche Zeitung”: Ecja nëpër tel për Vuçiqin po bëhet gjithnjë e më delikate

Aleksandar Vuciq, dialogu, Vladimir Putin, Rusia

Serbia dhe Bullgaria kanë lidhje të ngushta me Rusinë, por kjo po ndryshon. Evropa Juglindore po i largohet Putinit për shkak të luftës së nisur në Ukrainë, shkruan “Süddeutsche Zeitung” të mërkurën, në tekstin me titull: “Ecja nëpër tel, për Vuçiqin po bëhet gjithnjë e më delikate”.

Gazeta gjermane shkruan se Bullgaria ia a kthyer shpinën dhe ka shpëtuar, Serbia është gati t’ia kthejë, por se Bosnja mbetët problem shkaku i rolit të serbëve, përkatësisht lidhjeve të tyre me Moskën.

Pak duhej që Christian Schmidt, Përfaqësues i Lartë në Bosnjë-Hercegovinë, të pengohej që të paraqiste raportin e tij në Kombet e Bashkuara mbi "situatën shqetësuese në vend dhe përpjekjet në rritje për të destabilizuar situatën nga serbët e Bosnjës, me përkrahjen e Moskës”, shkruan “Süddeutsche Zeitung”.

Të mërkurën e kaluar, Moska dëshi prap ta pengojë, por nuk kishte shumicë në Këshillin e Sigurimit për një propozim të tillë.

“Schmidtit iu dha fjala dhe këtë herë ai ishte në gjendje të shprehte vërejtjet e tij: se 'rendi kushtetues i Bosnjës është i rrezikuar', me planet e Republika Srpskas për të formuar administratën e saj tatimore, gjyqësorin dhe ushtrinë e saj. Në planin afatgjatë, kjo duhet të çojë de fakto në shkëputje dhe, siç kanë frikë shumë vëzhgues, të rihapë plagë të përgjakshme në rajon”.

Schmidt i vendosur

"Marrëveshja e Dejtonit do të mbrohet me vendosmëri", tha Schmidt, duke iu referuar marrëveshjes së vitit 1995 që i dha fund luftës në Bosnjë. "Ne nuk do të ulemi dhe do të shikojmë të tjerët të shkatërrojnë 26 vjet paqe, stabilitet dhe përparim".

Teksti i “Süddeutsche Zeitung” thekson se fjalimi i Schmidt në OKB u miratua nga të pranishmit - me përjashtim të përfaqësuesve të Rusisë dhe Kinës. Gazeta gjermane shkruan se Serbia “e ka njohur integritetin territorial të shtetit fqinj”.

"Kaq shumë unitet tregohet rrallë në lidhje me Bosnjën", vlerëson gazeta me bazë në Munih.

“Süddeutsche Zeitung” thekson se "Milorad Dodik, një politikan kryesor serb i Bosnjës, është një nga aleatët e fundit dhe më të besueshëm të Kremlinit në Evropën Juglindore".

Por është e diskutueshme se sa mund të arrijë realisht me provokimet e tij. Presidenti i Serbisë fqinje, Aleksandar Vuçiq, është një nga partnerët e tij më të rëndësishëm në rajon. Por Vuçiq, të paktën publikisht, nuk tregon mbështetje për lojërat secesioniste të Dodikut, ndoshta sepse e di se kjo do të dobësonte ndjeshëm pozicionin e tij në Evropë”.

Ecja e Vuçiqit në një tel të hollë

Qeveria e Serbisë prej kohësh po ndjek politikën e “sharrës mes Perëndimit dhe Lindjes”. Ajo vazhdon të refuzojë t'u bashkohet sanksioneve evropiane ndaj Rusisë.

Gazeta gjermane, ndërkohë rikujton se Serbia votoi pro rezolutës së OKB-së që dënoi agresionin rus kundër Ukrainës.

“Lëvizja e Vuçiqit po bëhet gjithnjë e më delikate: ai ka mbajtur prej kohësh një marrëdhënie të veçantë me presidentin rus Putin, i cili e furnizon me gaz dhe e mbështet atë në parandalimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës si shtet sovran”.

“Süddeutsche Zeitung” thekson se disponimi tradicional pro-rus në mediat pranë qeverisë ka ndryshuar kohët e fundit - pasi Putini vuri në dukje “ngjashmëritë” midis zonave separatiste në Ukrainën lindore dhe Kosovës gjatë vizitës së fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres në Moskë. “Nga këndvështrimi serb, ai krahasim i kushtoi Putinit me humbje të madhe të simpatisë”.

Kjo “lehtëson kthesën e brendshme politike të Vuçiqit drejt BE-së”.

Gazeta gjermane kujton edhe deklaratën e së hënës të Vuçiqit, se do të shmangë sanksionet kundër Rusisë “për aq kohë sa të jetë e mundur”.

Për shkak të një kursi të tillë, Serbia padyshim se po humbet shumë para nga investitorët perëndimorë, vlerëson “Süddeutsche Zeitung”.

Shembulli i Bullgarisë

Në të njëjtin tekst, Süddeutsche Zeitung përmend Bullgarinë, e cila deri vonë konsiderohej aleati më i ngushtë i Rusisë në BE, si shembull se largimi nga Moska "nuk çon domosdoshmërisht në shkatërrim". Qeveria aktuale e kryeministrit Kirill Petkov theu atë traditë, kundërshtoi Kremlinin dhe u ndëshkua për këtë duke iu ndalur gazi nga Rusia.

Por, Bullgaria diti si ta ndihmojë veten. Tani po blen gjithnjë e më shumë gaz përmes Greqisë dhe gazsjellësi i planifikuar prej kohësh midis dy vendeve po përfundon me shpejtësi.

“Bullgaria mund të marrë sasi të mëdha të asaj energjie nga Azerbajxhani, si dhe nga Shtetet e Bashkuara”, shkruan gazeta gjermane.