Sudanezët janë duke ngrënë gjethe dhe qymyr për të mbijetuar pasi i kanë ikur sulmit në një kamp për të zhvendosurit afër qytetit el-Fasher, sipas një agjencie për ndihma, ka raportuar “BBC”.
“Historitë që ne kemi dëgjuar janë me të vërtetë tmerruese”, ka deklaruar Noah Taylor, nga Këshilli Norvegjez i Refugjatëve.
“Njerëzit janë duke ikur nga el-Fasher për në Tawila, por ata po vdesin pas mbërritjes”, ka shtuar Taylor.
Ai ka thënë se disa po vdisnin nga etja, derisa po bënin udhëtimin 40-kilometërsh nga kampi Zamzam në temperatura përvëluese.
“Kemi dëgjuar histori se akoma ka trupa në rrugën në mes el-Fasher dhe Tawila. Kemi folur me një familje që na tha se një vajzë që kishte ecur vetëm nga el-Fasher, është përdhunuar në mënyrë të përsëritur gjatë rrugës, dhe pastaj ka vdekur nga plagët e saj kur ka arritur në Tawila”, ka deklaruar Taylor.
El-Fasher është qyteti i fundit në rajonin perëndimor të Darfurit në Sudan nën kontrollin e ushtrisë dhe aleatëve të saj. Në fillim të muajit, forcat paramilitare Forcat e Shpejta Mbështetëse (RSF) kanë sulmuar kampin afër Zamamit, duke detyruar dhjetëra mijëra të arratisen nga strehimoret e tyre.
Shumë banorë të Zamzamit kanë qenë aty për dy dekada, pasi i kanë ikur konflikteve të kaluara në Darfur.
RSF-ja e ka luftuar ushtrinë gjatë dy vjetëve të fundit në luftën që ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka zhvendosur 13 milionë njerëz nga shtëpitë e tyre.
Agjencitë e ndihmave thonë se është kriza më e keqe humanitare në botë.