Botë

Stuhia “Isha” godet Britaninë e Madhe me shira të dendura dhe erëra të forta

Britania ka marrë masa, pasi stuhia “Isha” po shkakton shira dhe erëra të forta, që potencialisht mund të jenë vdekjeprurëse. Stuhia pritet të godasë një sipërfaqe të gjerë toke dhe të anulojë shumë udhëtime në këtë fillimjavë.

Shërbimi kombëtar i motit lëshoi një paralajmërim të pazakontë, për pothuajse gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe njoftoi se ekziston mundësia e një tornadoje në Irlandën e Veriut, në pjesë të Anglisë veriore dhe në Skoci.

Pjesë të Mbretërisë së Bashkuar janë goditur që nga vjeshta nga një seri stuhish të rrëmbyeshme që kanë rrëzuar pemë, kanë ndërprerë energjinë elektrike dhe kanë çuar në përmbytje përgjatë luginave të lumenjve.

“Isha” është stuhia e nëntë që nga shtatori. Operatori hekurudhor për Skocinë ndaloi shërbimin e trenave të dielën mbrëma, kufizim që mbeti në fuqi edhe gjatë së hënës. E kompanitë ajrore kanë anuluar 102 fluturime për dhe në Aeroportin e Dublinit.

Shërbimi kombëtar i motit në Irlandë lëshoi ​​një paralajmërim portokalli për motin të dielën, për pjesën më të madhe të vendit, që do të thotë se erërat mund të prekin ndjeshëm njerëzit, pronën dhe aktivitetet në zonë. Pjesë të perëndimit dhe veriperëndimit të vendit ishin edhe më keq - në alarm të kuq.

Ndërkohë, Aeroporti Schiphol në Amsterdam njoftoi të dielën se ka anuluar 130 fluturime të planifikuara për të hënën, si masë paraprake për shkak të erërave të forta që priten kur stuhia “Isha” të arrijë në Holandë.