Evropa ka nevojë të shpenzojë në mbrojtje rreth 250 miliardë euro çdo vit për të siguruar veten, pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas një studimi të publikuar të premten, kjo shumë është e përballueshme duke konsideruar fuqinë ekonomike të Evropës, ka raportuar “Reuters”.
Ky shpenzim është ekuivalent me 1.5 për qind të bruto produktit vendor të Bashkimit Evropian. Mjetet do t’ia mundësonin Evropës t’i mobilizojë rreth 300,000 ushtarë për të mbrojtur veten nga Rusia, sipas studimit të kryer nga Instituti për Kërkime Bruegel dhe Instituti Kiel për Ekonominë Botërore.
Studimi po ashtu ka bërë thirrje për koordinim më të afërt dhe blerje të përbashkëta, duke shtuar se përveç masave financiare, koordinimi në mbrojtje brenda kontinentit akoma është sfidë shumë e madhe në mesin e forcave të armatosura kombëtare.
Shumica e vendeve evropiane janë gjendur nën presion nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për t’i rritur kapacitetet ushtarake, me ministrin e tij, që javën e kaluar paralajmëroi Evropën kundër trajtimit të Amerikës si “dështake” duke e bërë përgjegjës për sigurinë e vet.
Kandidati favorit për kancelar të Gjermanisë, Friedrich Merz të enjten ka vënë në dyshim të ardhmen e pranisë së Washingtonit në NATO, derisa këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Mike Waltz u ka dhënë të gjithë anëtarëve të NATO-s kohë deri në qershor për të arritur cakun e shpenzimeve për mbrojtje prej 2% të BPV.
Studimi i Bruegel dhe Kiel ka sugjeruar rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes për 4% të BVP, nga 2% sa është tani. Gjysma e saj mund të financohet nga një borxh i përbashkët evropian dhe të përdoret për blerje të përbashkëta, derisa pjesa tjetër të mbulohet nga vendet anëtare.
Studimi ka shtuar se Moska ka rritur në masë të madhe kapacitetet ushtarake që nga fillimi i luftës në Ukrainë, duke cituar mobilizimin e 700,000 ushtarëve në Ukrainë dhe rritjen e shpejtë të prodhimit të tankeve dhe autoblindave.
Sipas studimit për 50 brigada shtesë, Evropa do të ketë nevojë për 1,400 tanke dhe 2,000 mjete luftarake tokësore, një numër që do të kalonte numrin e tanishëm të të gjithë forcave tokësore të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë.
“Në terma ekonomik, është e menaxhueshme... Që është shumë më pak se sa na është dashur të mobilizoheshim për të kapërcyer krizën gjatë pandemisë së Covidit”, ka deklaruar Guntram Wolff, bashkë-autor i studimit.