Botë

Stresi dhe frika turbullojnë ishullin e militarizuar japonez afër Tajvanit

Japonia e Tajvani

Procesi i militarizimit të ishullit Yonaguni është ndier veçanërisht pas shpopullimit të ishullit. Aktualisht, ishulli ka më pak se 1,500 banorë lokalë. Mbështetësit e planit kanë thënë se anëtarët e rinj të shërbimit ushtarak që dislokohen në ishull, janë të nevojshëm për sigurinë e tij dhe për ekonominë që has në vështirësi të ndryshme. Kundërshtarët e planit kanë thënë se procesi i militarizimit është shkatërrues për mjedisin, duke e bërë ekonominë e ishullit të varur nga ushtria dhe gjasat për të provokuar ndonjë sulm nga jashtë më të larta. Ishulli tani shihet si vija e parë e frontit për ballafaqimin e mundshëm për Tajvanin, ishullin e vetëqeverisur që Kina pretendon se i takon asaj

Ishulli i vogël në pjesën perëndimore të Japonisë nuk ka një zinxhir të dyqaneve. Dashamirët e natyrës mund të zhyten me peshkaqenët kokëçekiç dhe të shikojnë kuajt tek kullosin në kodër.

Por, malet e mbushura me pemë tani shërbejnë si zona të radarit. Një fermë e lopëve është zëvendësuar me kampin ushtarak të Forcave Mbrojtëse Tokësore të Japonisë. Japonia dhe aleati i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), kanë mbajtur ushtrime të përbashkëta këtu. Planet janë në formulim e sipër për të shtuar një njësi të re raketore dhe për të zgjeruar një aeroport të vogël dhe port detar.

Të gjitha këto investime e kanë betonuar ishullin Yonaguni si vija e parë e frontit për ballafaqimin e mundshëm për Tajvanin, ishullin e vetëqeverisur që Kina pretendon se i takon asaj.

“Si fëmijë, unë isha shumë krenar për këtë ishull”, ka thënë Fumie Kano, pronari i një hosteli në Yonaguni. “Por, kohëve të fundit, neve na thuhet vazhdimisht se ky vend është i rrezikshëm, dhe unë ndihem shumë i mërzitur”.

Procesi i militarizimit është ndjerë veçanërisht pas shpopullimit të ishullit. Aktualisht, ishulli ka më pak se 1,500 banorë lokalë. Mbështetësit e planit kanë thënë se anëtarët e rinj të shërbimit ushtarak që dislokohen në ishull, janë të nevojshëm për sigurinë e tij dhe për ekonominë që has në vështirësi të ndryshme. Kundërshtarët sikurse Kano kanë thënë se procesi i militarizimit është shkatërrues për mjedisin, duke e bërë ekonominë e ishullit të varur nga ushtria dhe gjasat për të provokuar ndonjë sulm nga jashtë më të larta.

Në vijën e frontit

Yonaguni është vetëm 110 kilometra në lindje të Tajvanit, zonë në të cilën Kina ka rritur aktivitetin ushtarak. Të shqetësuar nga mundësia për konflikt, Japonia e ka bërë një “lëvizje jugperëndimore” në rrafshin ushtarak, duke shpejtuar ndërtimin e bazave ushtarake dhe duke rritur shpenzimet përgjatë vijës së frontit.

Banorët e Yonagunit e gjejnë veten në qendër të tensioneve gjeopolitike. Plani i fundit qeveritar për të vendosur më shumë raketa me rreze të gjatë veprimi, ka shkaktuar pasiguri për të ardhmen e ishullit, edhe për ata që paraprakisht e kishin mbështetur ardhjen e trupave ushtarake.

Kano, një banor i Yonagunit, rikujton se zyrtarët dhe banorët dikur donin të përmirësonin ekonominë dhe mjedisin nëpërmjet shkëmbimeve komerciale me Tajvanin, duke operuar tragete direkte midis ishujve. Mirëpo, kjo është zëvendësuar me planin për vendosjen e trupave ushtarake, që njëkohësisht u kthye në alternativë më të lehtë për të mundësuar mbrojtjen dhe subvencionet e qeverisë.

Mospajtimet rreth planit e kanë ndarë komunitetin e vogël. Mbështetja për të pritur trupat japoneze u miratua në një referendum të vitit 2015; me fjalë të tjera, fati i ishullit është vendosur në masë të madhe nga politikat e sigurisë që vendosen nga qeveria qendrore.

Në vitin pasues, një njësi detare me 160 anëtarë ishte përgjegjëse për të monitoruar aktivitetet e ushtrisë kineze, me radarë të montuar në Malin Inbi dhe gjithkund tjetër. Për momentin janë 210 trupa ushtarake, përfshirë njësite të reja. Shërbyesit ushtarakë dhe familjet e tyre përbëjnë një të pestën e popullatës totale të ishullit. 

Ekonomia lokale e ishullit varet kryesisht nga shërbyesit ushtarakë dhe familjet e tyre, që përdorin dyqanet, shkollat dhe shërbimet e tjera që i ofron komuniteti.

Ka shqetësime në ishull për ritmin dhe shkallën e militarizimit, ka thënë Kyoko Yamaguchi, një poçar. “Gjithçka po shtyhet përpara në emër të emergjencës për Tajvanin, dhe shumë të tjerë besojnë se kjo është tepruar”.

Japonia dhe Kina ndërtojnë ushtritë e tyre

Forcat ajrore dhe detare japoneze në Naha, kryeqytetin e prefekturës së Okinawas, janë kyçe për të mbrojtur hapësirën ajrore dhe ujërat territoriale në jugperëndim të vendit.

Baza Ajrore e Forcave në Naha është më e ngarkuara në Japoni nga katër bazat ajrore rajonale. Në vitin fiskal 2023, forcat ushtarake u aktivizuan 401 herë, ose 60% e totalit kombëtar prej 669, kryesisht kundër kinezëve, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

“Ne duhet të jemi të lëvizshëm, të shpejtë dhe të kujdesshëm për të mbajtur nën kontroll këtë rajon”, ka thënë admirali japonez, Takuhiro Hiragi, duke nënvizuar praninë e kanaleve të rëndësishme detare në zonë, përfshirë ato që Kina i përdor për të dalë në Oqeanin Paqësor. “Ne monitorojmë ushtrimet e tyre, jo vetëm afër Tajvanit por kudo që është e domosdoshme”.

Zyrtarët e mbrojtjes kanë thënë se Kina ka rritur aktivitetet ushtarake në zonën midis Tajvanit dhe Yonagunit.

Në gusht, një avion ushtarak kinez e kishte shkelur hapësirën ajrore të Japonisë në ishullin jugor të Kyushu, duke e shtyrë ushtrinë japoneze të mobilizonte avionët e saj luftarakë. Një anije kineze kërkimore kishte shkelur në ujërat territoriale japoneze pranë një ishulli në jug disa ditë më vonë. Në shtator, avionmbajtësi kinez Liaoning dhe dy anije luftarake kaluan midis Yonagunit dhe Iriomotes, duke hyrë në një shirit uji afër ujërave territoriale të Japonisë.

Frika në rritje

Peshkatarët e Yonagunit, kanë qenë ndër dëshmitarët e parë për rritjen e aktiviteteve ushtarake të Kinës.

Në vitin 2022, disa raketa balistike të lëshuara nga Kina si pjesë e një manovre ushtarake, u përplasën pranë ujërave jugperëndimore të Japonisë pas vizitës së ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, në Tajvan. Njëra nga raketat u përplas vetëm 80 kilometra larg  Yonagunit, gjatë kohës sa 20 peshkatarë lokalë ishin duke peshkuar.

Pavarësisht, se nuk shkaktoi lëndime ose dëme, manovrat kineze i frikësuan peshkatarët, të cilët nuk zhvilluan aktivitetet e tyre për një javë. “Ishte një ushtrim shumë i rrezikshëm, që na bëri të mendonim se rreziku potencial nga Kina është afër nesh”, ka thënë shefi i Shoqatës të Peshkatarëve të Yonagunit dhe anëtari i asamblesë së qytezës, Shigenori Takenishi.

Frika e luftës në Tajvan rikthen kujtime të hidhura nga Beteja e Okinawas për banorët, gjatë së cilës u vranë mbi 200,000 njerëz. Historianët thonë se ushtria sakrifikoj Okinawan për të mbrojtur territoret kryesore të Japonisë. Sot, në ishullin kryesor të Okinawas ndodhen mbi 30,000 ushtarë amerikanë, nga 50,000 në total që shërbejnë në Japoni.

“Duke qenë në qendër të problemit është shumë stresuese për banorët”, ka thënë Takako Ueno, pronare e një dyqani. “Unë nuk dua që njerëzit të mendojnë se ky ishull i bukur mund të kthehet në fushëbetejë”, ka shtuar ajo.

“Që kjo të mos ndodhë, Yonaguni duhet të fortifikohet”, ka thënë kryebashkiaku i ishullit Kenichi Itokazu, që ka bërë thirrje për dislokimin e më shumë trupave japoneze.

Çfarë ndodh në raste të emergjencës?

Disa banorë ndihen të pasigurt në lidhje me cenueshmërinë e ishullit, pavarësisht pranisë ushtarake.

Një plan qeveritar evakuimi i publikuar vitin e kaluar, tregoi se zhvendosja e 120,000 personave nga pesë ishuj të largët, përfshirë Yonagun, në ishujt kryesorë të Japonisë do të kërkonte të paktën gjashtë ditë. Disa kanë dyshime nëse një evakuim i tillë është i mundur.

Itokazu, kryetari i bashkisë, do të ndërtojë një strehë në katin e nëndheshëm të objektit të ri të bashkisë dhe do që të zgjerojë portin Higawa, me qëllim të evakuimit me anije, plan ky që kundërshtohet nga ambientalistët që thonë se ka specie të rralla detare atje.

Mirëpo, ka skepticizëm nga disa të tjerë.

“Është absurde”, ka thënë Kano për planin e evakuimit, sepse e tërë Japonia do të ishte në rrezik nëse Okinawa bëhet pjesë e luftimeve. “Unë shpresoj se paratë do të harxhohen në politika që i ndihmojnë njerëzit e Yonagunit të jetojnë në paqe”.