Botë

Stoltenbergu e konsideron Rutten person të duhur për ta zëvendësuar

Jens Stoltenberg dhe Mark Rutte

Jens Stoltenberg dhe Mark Rutte

Foto: Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka përshkruar të martën kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si një kandidat shumë të fortë për ta zëvendësuar atë.

Rutte e ka marrë edhe mbështetjen e Hungarisë dhe Sllovakisë për postin e të parit të NATO-s, raporton Reuters.

Aleanca mbrojtëse i merr vendimet me konsensus, kështu që një kandidat ka nevojë për mbështetjen e të gjithë 32 aleatëve. Vetem Rumania, presidenti i së cilës, Klaus Lohannis, po lufton po ashtu për pozitën, e kundërshton kandidaturën e Ruttes.

Gazeta holandeze e lajmeve “NOS” ka cituar burime të afërta me këtë çështje të cilat kanë thënë se Rutte do ta pasojë Stoltenbergun, i cili jep dorëheqjen në tetor pas gati një dekade në krye të NATO-s. 

Stoltenberg ka thënë se procesi i vendimmarrjes ishte shumë afër përfundimit.

"Unë mendoj se është e qartë se ne jemi shumë afër një përfundimi në aleancë që aleatët të zgjedhin Sekretarin e Përgjithshëm të ardhshëm. Dhe mendoj se ky është një lajm i mirë”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken në Ëashington.

"Mendoj se Mark Rutte është një kandidat shumë i fortë. Ai ka shumë përvojë si kryeministër, është një mik dhe koleg i ngushtë, dhe prandaj besoj fuqishëm se shumë shpejt aleanca do të vendosë për pasardhësin tim dhe kjo do të jetë mirë për të gjithë ne, për NATO-n dhe gjithashtu për mua”, ka shtuar ai.

Mbështetja e Hungarisë pasoi një takim që kryeministri Viktor Orban pati me Stoltenbergun javën e kaluar, ku të dy palët ranë dakord që Hungaria nuk do të bllokonte vendimet e NATO-s për ofrimin e mbështetjes për Ukrainën, me kushtin që ajo nuk do të përfshihej.

“Kryeministri Mark Rutte konfirmoi se ai e mbështet plotësisht këtë marrëveshje dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, nëse ai bëhet sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i NATO-s”, ka shkruar Orban në platformën e mediave sociale X.

Shefi i ardhshëm i NATO-s do të përballet me sfidën e mbajtjes së mbështetjes së aleatëve për luftën e Ukrainës kundër pushtimit të Rusisë, ndërkohë që do t’i duhet të ruhet nga çdo përshkallëzim që mund ta tërheqë aleancën ushtarake në një luftë të drejtpërdrejtë me Moskën.