Botë

Stoltenbergu bën thirrje për mbështetje afatgjate për Ukrainën

Jens Stoltenberg - sekretar i pergjithshem i NATO-S

Foto: Associated Press

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se Ukraina duhet të marrë mbështetje afatgjate, të parashikueshme e të fuqishme dhe jo ndihmë afatshkurtër, raporton agjencia “AP”.

Stoltenbergu i bëri këto komente nga Brukseli, aty ku ministrat e Jashtëm u mblodhën për dy ditë për të diskutuar luftën e vazhdueshme në Ukrainë.

Stoltenbergu u ka thënë gazetarëve se Kongresi në SHBA duhet t’i tejkalojë dallimet e tij dhe të miratojë një projektligj shtesë për shpenzimet, që përfshin afërsisht 60 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën. Ai tha se vonesa e vazhdueshme ka pasoja në fushëbetejë, ku raportohet se Rusia po bën përparime.

“Kjo është një nga arsyet pse ukrainasit duhet të përdorin me kufizime numrin e predhave të artilerisë, pse ata kanë probleme të përballen me Rusinë”, është shprehur ai.
Të mërkurën Ukraina zvogëloi moshën e rekrutimit ushtarak nga 27 në 25 vjeç, për të ndihmuar kështu në shtimin e numrit të ushtarëve pas më shumë se dy vjet luftë.