Botë

Starmer thotë se Putini nuk e ka seriozisht arritjen e paqes në Ukrainë

starmer

Foto: Associated Press

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka paralajmëruar të shtunën se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk e ka seriozisht arritjen e paqes. Deklarata e tij erdhi para takimit virtual me liderët e tjerë botërorë për të biseduar rreth Ukrainës, raporton BBC.

Afërsisht 25 liderë pritet të marrin pjesë në takimin virtual, ndërkaq Starmer ka thënë se Putini nuk duhet të lejohet “të bëjë lojëra” me armëpushimin e propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Takimi virtual që do të zhvillohet më vonë është tubimi më i fundit i të ashtuquajturit “koalicioni i të vullnetshmëve” - i emërtuar si i tillë kur liderët evropianë vizituan Londrën në fillim të këtij muaji.

Ka pasur disa zhvillime të rëndësishme që nga ajo kohë, përfshirë një armëpushim 30-ditor të propozuar nga SHBA-ja, i mbështetur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, por ende pa një përgjigje përfundimtare nga Putini.

Pavarësisht ngërçit aktual, presidenti Trump ka shprehur optimizëm për një marrëveshje, duke thënë se ka pasur diskutime “të mira dhe produktive” me Putinin të enjten.

 

Starmer: Putini do të ulet në tavolinën e negociatave herët a vonë

1 muaj më parë / 15 mar 2025 11:58 Nga: Ideal Zhubi
Keir Starmer

Photo: Associated Press

Në zhvillim e sipër të takimit virtual me 25 liderët botërorë, kryeministri britanik, Keir Starmer ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin do të “ulet në tavolinën e negociatave” herët ose vonë. 

Kryeministri britanik iu ka thënë liderëve se ata duhet të përgatiten për ta mbrojtur marrëveshjen e paqes në Ukrainë, duke kërkuar gjithashtu që presioni mbi Rusinë të rritet.

“Nëse Putini e ka seriozisht paqen, është shumë e thjesht, ai duhet të ndalojë sulmet barbare në Ukrainë dhe të pranojë armëpushimin”, ka deklaruar Starmer para liderëve të vendeve evropiane, si dhe liderëve nga Australia, Kanadaja e Zelanda e Re. 

“Duhet të vazhdojmë të shtyjmë përpara, të ecim përpara dhe të përgatisim paqen, një paqe që do të jetë e sigurt dhe që do të zgjasë”, ka shtuar ai.