Botë

Starmer për tarifat e Trumpit: Bota që dinim nuk është më

Keir Starmer

Foto: Associated Press

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka paralajmëruar se "bota ashtu siç e dinim nuk është më” teksa ka thënë se qeveria është gati të ndërhyjë për të mbrojtur ekonominë britanike nga ndikimi i tarifave amerikane.

"Supozimet e vjetra nuk mund të merren më si të mirëqena. Bota siç e dinim nuk është më. Ne duhet të ngrihemi për të përmbushur momentin. Jemi gati për atë që vjen më pas. Bota e re qeveriset më pak nga rregullat e vendosura dhe më shumë nga marrëveshjet dhe aleancat”, ka shkruar Starmer  në një opinion për "Sunday Telegraph".

Një tarifë "bazë" 10% për shumicën e importeve në SHBA ka hyrë në fuqi të shtunën, teksa disa vende përballen me taksa më të larta nga 9 prilli.

Starmer ka thënë gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar do të punojë për të forcuar aleancat dhe për të shkurtuar barrierat tregtare ndërsa kërkon negociata të mëtejshme me Uashingtonin për një marrëveshje tregtare

Ekspertët paralajmërojnë se tarifat mund të rrisin çmimet për konsumatorët.

Ndërkaq, Elon Musk, një nga këshilltarët më të afërt të Trumpit ka thënë se shpreson se është kuptuar që Evropa dhe SHBA-ja duhet të "lëvizin në mënyrë ideale" në një situatë me tarifa zero.