Zyrtarët palestinezë shëndetësorë kanë bërë thirrje të mërkurën për një korridor humanitar në tri spitale në veri të Gazës, të cilët janë afër rënies, pasi trupat izraelite kanë shkëputur zonën gjatë pothuajse dy javëve të luftimeve të ashpra kundër Hamasit.
Mjekët në spitalet e Kamal Adwan, Al-wda dhe në atë indonezian kanë refuzuar të lënë pacientët e tyre pavarësisht urdhrave të evakuimit të lëshuara nga ushtria izraelite në fillimin e një shtytjeje të madhe në zonën Jabalia të Gazës veriore, 12 ditë më parë, raporton AP.
“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, Kryqit të Kuq dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të luajnë rolin e tyre humanitar duke hapur një korridor drejt sistemit tonë të kujdesit shëndetësor”, ka thënë Hussam Abu Safiya, drejtor i spitalit Kamal Adwan.
“Po flasim për më shumë se 300 staf mjekësor që punojnë në Spitalin Kamal Adwan dhe nuk mund të ofrojmë qoftë edhe një vakt të vetëm që ata të mund të ofrojnë shërbime mjekësore në mënyrë të sigurt”, ka shtuar ai.
Jabalia, shtëpia e një prej tetë kampeve historike të refugjatëve të Gazës, u pastrua në fillim të luftës nga trupat izraelite që po kalonin në veri të Gazës, por luftëtarët militantë palestinezë të Hamasit janë rivendosur në zonë.
Zyrtarët palestinezë të Shëndetësisë kanë thënë se ofensiva e re izraelite ka vrarë rreth 350 palestinezë në Jabalia dhe zonat përreth.
Në qytetin e Gazës të mërkurën, një sulm ajror izraelit në një shtëpi vrau 13 persona, thanë mjekët.
Në përditësimin e saj, ministria e Shëndetësisë në Gaza ka thënë se sulmet ushtarake izraelite kishin vrarë 65 palestinezë në të gjithë enklavën në 24 orët e fundit.