Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se ka karburante vetëm edhe për tri ditë të tjera për të kryer shërbime mjekësore në jug të Gazës, derisa mungesat kanë shtyrë një prej tri spitaleve kryesore në qytetin e Gazës që të mbyllet.
Kufiri i Rafahut me Egjiptin ka qenë i mbyllur që kur forcat izraelite kanë marrë kontrollin e anës palestineze, të martën në mëngjes, duke bllokuar hyrjen e ndihmave shumë të nevojshme humanitare.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se Gaza veriore është tashmë në një gjendje “të urisë së plotë", raporton AP.
Izraeli ka thënë se ka rihapur pikëkalimin Kerem Shalom, një hyrje tjetër e rëndësishme për ndihmat, mirëpo zyrtarët e OKB-së kanë thënë se asnjë ndihmë nuk ka hyrë në Gaza, dhe se nuk është askush në anën palestineze për t’i pranuar ato, për shkak të luftimeve.
Lufta në Gaza ka zhvendosur rreth 80% të popullatës së territorit me 2,3 milionë, nga shtëpitë e tyre, dhe ka shkaktuar shkatërrimin e ndërtesave, spitaleve, xhamive dhe shkollave në të gjithë vendin.
Numri i të vdekurve në Gaza ka shkuar në më shumë se 34,500, sipas zyrtarëve lokal shëndetësorë.
Lufta nisi më 7 tetor kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë të paktën 1,200 njerëz, shumica civilë, dhe duke marrë pengje rreth 250 të tjerë. Izraeli thotë se militantët e Hamasit mbajnë rreth 100 pengje dhe trupat e më shumë se 30 të tjerëve.