Spanja dhe Portugalia raportohet se po përballen me një ndërprerje të madhe të furnizimit me energji në vend.
Operatori spanjoll i rrjetit të energjisë elektrike “Red Electrica” ka thënë se ka aktivizuar planet për të rikthyer furnizimin, me "të gjitha burimet e dedikuara për zgjidhjen" e ndërprerjes, raporton The Guardian.
Operatori spanjoll i trenave "Renfe" ka thënë se ka ndërprerje të energjisë në nivel kombëtar, duke shkaktuar ndalimin e trenave dhe anulimin e nisjeve, raporton Reuters.
Barcelona dhe Sevilja janë ndër qytetet kryesore spanjolle të prekura, teksa sistemet e metrosë së Barcelonës, Valencias dhe Madridit raportohet se janë prekur po ashtu.
Ndërkohë, ndërprerje ka edhe në në aeroportin Barajas të Madridit, i cili ka raportuar vonesa në fluturime.
Mediat portugeze po ashtu po raportojnë për ndërprerje të rënda në operacionet e telekomit dhe transportit.
Spanja e Portugalia në kaos nga ndërprerja e energjisë elektrike
Spanja dhe Portugalia janë goditur nga një ndërprerje masive e energjisë elektrike të hënën, gjë që ka paralizuar transportin publik, ka shkaktuar bllokime të mëdha trafiku dhe vonesa të fluturimeve.
Operatori portugez i energjisë elektrike ka thënë se ndërprerja është shkaktuar nga një fenomen "i rrallë" atmosferik, i lidhur me ndryshimet në temperatura. Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se nuk ka indikacione për sulm kibernetik, siç pretendohej fillimisht
Një komitet krizash është krijuar në Spanjë për të menaxhuar situatën.
Qeveria spanjolle dhe portugeze kanë thirrur gjithashtu mbledhje urgjente të kabineteve përkatëse pas ndërprerjes, e cila preku shkurtimisht edhe një pjesë të Francës, që kufizohet me Spanjën verilindore.
Ndërmarrja portugeze REN ka konfirmuar ndërprerjen e energjisë elektrike në të gjithë Gadishullin Iberik, ndërsa operatori spanjoll i rrjetit “Red Electrica” ka njoftuar se po punon me kompanitë rajonale të energjisë për të rikthyer furnizimin.
Mediat spanjolle kanë raportuar për bllokime trafiku në qendër të Madridit pasi semaforët dolën nga funksioni.
Qindra njerëz qëndruan jashtë ndërtesave të institucioneve në rrugët e Madridit dhe u pa edhe prani e madhe e policisë.