Ukraina është pajtuar për armëpushim 30-ditor me Rusinë, teksa SHBA-ja ka vendosur për rikthimin e ndihmës së sigurisë për të, pas bisedimeve disaorëshe që janë zhvilluar të martën në Arabinë Saudite ndërmjet dy vendeve. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë pas takimit se tani “topi është në anën e Rusisë”

Administrata Trump ka hequr pezullimin e ndihmës ushtarake dhe të inteligjencës për Ukrainën pasi Kievi ka sinjalizuar se është i hapur për armëpushim 30-ditor në luftën me Rusinë, kanë thënë zyrtarët amerikanë dhe ukrainas të martën pas bisedimeve në Arabinë Saudite.

Administrata amerikane kishte vendosur masat një javë më parë për të shtyrë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të hyjë në bisedime për t’i dhënë fund luftës me forcat pushtuese ruse.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë pas takimit se SHBA-ja do t'ia paraqesë Kremlinit ofertën e armëpushimit.

“Ne do t'u themi atyre se kjo është ajo që është në tryezë. Ukraina është gati të ndalojë të shtënat dhe të fillojë të flasë. Dhe tani do të jetë në dorën e tyre të thonë po ose jo”, është shprehur Rubio.

Njoftimet kanë dalë pasi zyrtarë të lartë nga Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara nisën bisedimet në Arabinë Saudite, të fokusuara në përfundimin e luftës trevjeçare të Moskës kundër Kievit, dhe disa orë pasi Rusia ka njoftuar se kishte rrëzuar mbi 300 dronë ukrainas. Ky ishte sulmi më i madh i Ukrainës qëkur Kremlini urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të saj.

Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i presidentit, Donald Trump, pritet të udhëtojë më vonë këtë javë në Moskë, ku mund të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, ka thënë për AP-në një burim i afërt me këtë çështje.

Marrëveshja është mirëpritur nga Bashkimi Evropian. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët duke përshëndetur lajmin nga Arabia Saudite për armëpushim në Ukrainë.

“Ky është një zhvillim pozitiv që mund të jetë një hap drejt një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën”, kanë thënë ata. “Topi është tani në anën e Rusisë”.

Ata kanë thënë po ashtu se BE-ja është e gatshme të luajë rolin e saj të plotë, së bashku me partnerët e saj, në negociatat e ardhshme të paqes.

Disponimi në dhomën e takimit

Gazetarët janë lejuar shkurtimisht në dhomën ku një delegacion i lartë ukrainas u takua me kryediplomatin amerikan, sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, i cili buzëqeshi para kamerave dhe kur është pyetur për pritshmëritë e tij për takimin, është përgjigjur shkurt: “Mirë”.

Përtej tryezës, zyrtarët ukrainas, përfshirë kryediplomatin e vendit dhe shefin e Mbrojtjes, nuk treguan shprehje të fytyrës teksa takimi po zhvillohej në një hotel luksoz. Megjithatë, ndihmësi i presidentit ukrainas, Andriy Yermak u ka thënë gazetarëve se gjëja më e rëndësishme ishte “si të arrihet paqe e drejtë dhe e qëndrueshme në Ukrainë”. Ai ka shtuar se garancitë e sigurisë ishin të rëndësishme për të parandaluar pushtimin e Rusisë përsëri në të ardhmen.

Ky ishte takimi i parë midis dy palëve që nga shpërthimi i tensionit në një takim mes Zelenskyt dhe Trumpit në Zyrën Ovale, më 28 shkurt.

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite ishte gjithashtu i pranishëm në takim. Zyrtarët nuk iu përgjigjën asnjë prej pyetjeve të gazetarëve.

Delegacionet zhvilluan një takim për rreth tri orë në mëngjes përpara se të bënin një pushim dhe të vazhdonin pasdite.

Gjatë kësaj kohe nuk ka pasur ndonjë koment nga zyrtarët ukrainas apo amerikanë për sulmin masiv në të cilin 343 dronë shënjestruan 10 rajone ruse, duke lënë tre persona të vdekur dhe 18 të plagosur, përfshirë tre fëmijë, sipas autoriteteve.

Ndërkohë Rusia ka lëshuar 126 dronë dhe një raketë balistike në Ukrainë, kanë njoftuar forcat ajrore ukrainase, si pjesë e goditjeve të pamëshirshme të Moskës ndaj zonave civile gjatë luftës.

E në rrugët e Kievit ukrainasit kishin gjithë vëmendjen në bisedimet saudite.

Lena Herasymenko, psikologe, ka thënë se ajo e kupton se kompromiset do të jenë të nevojshme për t'i dhënë fund luftës, por ka shtuar se ato duhet të jenë “të arsyeshme”.

“Ne patëm humbje masive gjatë kësaj lufte dhe nuk e dimë ende se sa do të kemi. Ne po vuajmë çdo ditë. Fëmijët tanë po vuajnë dhe ne nuk e dimë se si do të ndikohet brezi i ardhshëm”, është shprehur ajo.

Oleksandr, ushtar ukrainas i cili mund të jepte vetëm emrin e tij për shkak të kufizimeve të sigurisë, ka paralajmëruar se Ukraina nuk mund të heqë dorë nga të qenit e vëmendshme dhe e përgatitur për çdo situatë.

“Nëse do të ketë një armëpushim, kjo do t’i jepte vetëm kohë Rusisë për të rritur fuqinë luftarake, fuqinë punëtore, raketat dhe armët e tjera. Pastaj ata do të sulmonin përsëri Ukrainën”, është shprehur ai.

Bisedimet – shans për përmirësim marrëdhëniesh SHBA-Ukrainë

Takimi në Jeddah ka ofruar një mundësi për zyrtarët e Kievit për të rregulluar marrëdhëniet e Ukrainës me administratën Trump, pas debatit të paprecedentë në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar.

Ukrainës i duhej ta bindte Washingtonin që t'i jepte fund pezullimit të ndihmës ushtarake dhe shkëmbimit të inteligjencës nga SHBA-ja pas atij debati.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se bisedimet pozitive në Jeddah mund të nënkuptojnë se pezullimi është afatshkurtër.

Zyrtarët ukrainas i kanë thënë AP-së të hënën se ata do të propozojnë një armëpushim që mbulon Detin e Zi - i cili do të ndikojë në një transport më të sigurt - si dhe për sulmet me raketa me rreze të gjata që kanë goditur civilët në Ukrainë e që do ta përfshinte po ashtu edhe lirimin e të burgosurve.

Dy zyrtarët e lartë thanë se Kievi është gjithashtu gati të nënshkruajë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për qasjen në mineralet e rralla të tokës së Ukrainës, një marrëveshje të cilën Trumpi e dëshiron me patjetër.

Tek udhëtonte për në Jeddah, Rubio ka thënë se delegacioni amerikan nuk do të propozonte ndonjë masë specifike për të siguruar fundin e konfliktit, por donte të dëgjonte nga Ukraina se çfarë do të ishin të gatshëm të merrnin në konsideratë.

“Unë nuk do të vendos asnjë kusht për atë që ata duhet të bëjnë”, u ka thënë Rubio gazetarëve që e shoqëronin. “Unë mendoj se ne duam të shohim se sa larg janë të gatshëm të shkojnë ata dhe pastaj ta krahasojmë këtë me atë që duan rusët dhe të shohim se sa larg jemi me të vërtetë”.

Rubio pati deklaruar se marrëveshja për “tokat e rralla” dhe mineralet kritike mund të nënshkruhet gjatë takimit, por ka theksuar se ky nuk ishte një parakusht që Shtetet e Bashkuara të ecin përpara me diskutimet as me Ukrainën dhe as me Rusinë.

Ai ka shtuar se mund të duhet pak kohë për të negociuar detajet e sakta të marrëveshjes.

Kremlini u përmbahet kushteve të tij për paqe

Kremlini nuk ka ofruar publikisht asnjë lëshim. Rusia ka thënë se është e gatshme të ndërpresë armiqësitë me kushtin që Ukraina të heqë dorë nga oferta për t'u anëtarësuar në NATO dhe t’i njohë rajonet që Moska i ka shpallur si ruse. Rusia ka pushtuar gati një të pestën e territorit të Ukrainës.

Forcat ruse kanë mbajtur vrullin e fushëbetejës për më shumë se një vit, megjithëse me një kosto të lartë në këmbësori dhe forca të blinduara, dhe po përparojnë përgjatë vijës së frontit prej 1000 kilometrash, veçanërisht në rajonin lindor të Donetskut, kundër ushtrisë së pafuqishme dhe të lodhur të Ukrainës.

Ukraina ka investuar shumë në zhvillimin e industrisë së saj të armëve, veçanërisht dronëve të teknologjisë së lartë që kanë arritur thellë në Rusi.

Shumica e dronëve ukrainas të gjuajtur gjatë natës të së hënës apo 126 prej tyre janë rrëzuar mbi rajonin Kursk përtej kufirit me Ukrainën, pjesë të të cilit i kanë nën kontroll forcat e Kievit, teksa 91 të tjerë janë rrëzuar mbi rajonin e Moskës, sipas një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, ka thënë se mbi 70 dronë kishin në shënjestër kryeqytetin rus dhe u rrëzuan teksa po fluturonin drejt tij, duke shënuar sulmin më të madh ndaj Moskës deri më tani në luftë.

Guvernatori i rajonit të Moskës që rrethon kryeqytetin, Andrei Vorobyov, ka thënë se sulmi dëmtoi disa ndërtesa banimi dhe një numër veturash.

Fluturimet u kufizuan përkohësisht brenda dhe jashtë gjashtë aeroporteve rreth Moskës dhe aeroportet në rajonet Yaroslavl dhe Nizhny Novgorod.

Përktheu: Flutura Gashi-Mehmeti

Trumpi thotë se do ta ftojë Zelenskyn sërish në Shtëpinë e Bardhë

1 muaj më parë / 11 mar 2025 21:00
Zelensky - Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se shpreson se Rusia do të pajtohet me një plan armëpushimi të hartuar nga zyrtarët amerikanë dhe ukrainas të martën në Arabinë Saudite.

Duke folur para gazetarëve të martën, Trumpi ka thënë se do ta ftojë liderin ukrainas, Volodymyr Zelensky përsëri në Shtëpinë e Bardhë, raporton The Guardian.

Ai ka thënë se shpreson se propozimi mund të forcohet "gjatë ditëve të ardhshme".

“Nesër kemi një takim të madh me Rusinë dhe shpresojmë se do të pasojnë disa biseda të shkëlqyera”, ka deklaruar ai.

Trumpi ka thënë po ashtu se do të flasë me udhëheqësin rus, Vladimir Putin për propozimin e armëpushimit këtë javë. 

"Duhen dy për tango, siç thonë ata”, është shprehur ai. 

Zelensky mirëpret propozimin për armëpushim 30-ditor

1 muaj më parë / 11 mar 2025 20:54
Zelensky dhe Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky përmes një postimi në rrjetin social X, ka deklaruar se mirëpret propozimin amerikan për armëpushim 30-ditor në luftën me Rusinë.

Ai ka shkruar se Ukraina që nga sekondat e para të konfliktit ka kërkuar paqe, dhe se do të bëjë çdo gjë për të arritur atë sa më parë që të jetë e mundur dhe në një mënyrë të qëndrueshme që sipas tij lufta të mos kthehet.

Zelensky po ashtu ka shkruar edhe tri propozimet kyçe të Ukrainës.

“Në takimin me amerikanët, Ukraina ka propozuar tri pika kyçe: qetësi në qiell – ndalimin e sulmeve me raketa, bomba, dhe sulmeve me drona me rreze të gjatë; qetësi në det; masa reale të kthimit të besimit në këtë situatë, për të cilin po vazhdojnë përpjekjet, që fillimisht do të thotë lirimi i të burgosurve të luftës dhe të arrestuarit – ushtarakë dhe civilë – dhe kthimin e fëmijëve ukrainas që janë dërguar me dhunë në Rusi”, ka shkruar ai në postimin e tij.

Sipas Zelenskyt, SHBA-ja propozoi edhe një hap më ambicioz me propozimin e armëpushimit 30-ditor, duke ndaluar luftën në të gjithë frontin.

“Ukraina është e gatshme të pranojë këtë propozim – e shohim si hap pozitiv dhe jemi të gatshëm ta marrim. Tani, varet nga SHBA-ja të bindë Rusinë të bëjë të njëjtën gjë. Nëse Rusia pajtohet, armëpushimi do të fillojë menjëherë”, ka shtuar ai.

Britania e Madhe mirëpret pajtimin për armëpushim mes Ukrainës dhe SHBA-së

1 muaj më parë / 11 mar 2025 20:47
Keir Starmer

Photo: Associated Press

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka thënë se ai e mirëpret marrëveshjen midis zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë pas bisedimeve në Arabinë Saudite të martën.

“Unë mirëpres ngrohtësisht marrëveshjen e sotme në Jeddah dhe përgëzoj presidentin Trump dhe presidentin Zelensky për këtë përparim të jashtëzakonshëm”, ka thënë Starmer në një deklaratë.

“Ky është një moment i rëndësishëm për paqen në Ukrainë dhe ne të gjithë tani duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të sigurt sa më shpejt të jetë e mundur.

Siç kanë thënë delegacionet amerikane dhe ukrainase, topi është tani në anën ruse. Rusia tani duhet të pajtohet me një armëpushim dhe një fund të luftimeve gjithashtu”, thuhet më tej në deklaratë.

Ai ka shtuar se do të thërrasë të shtunën një takim virtual të vendeve të gatshme për të mbështetur armëpushimin. 

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë për t'i dhënë fund kësaj lufte në një mënyrë të drejtë dhe të përhershme që i mundëson Ukrainës të gëzojë lirinë e saj”, ka thënë Starmer. 

BE-ja mirëpret propozimin për armëpushim në Ukrainë

1 muaj më parë / 11 mar 2025 20:38
BE

Photo: Associated Press

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët duke përshëndetur lajmin nga Arabia Saudite për armëpushim në Ukrainë.

“Ky është një zhvillim pozitiv që mund të jetë një hap drejt një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën”, kanë thënë ata, raporton The Guardian. 

“Topi është tani në anën e Rusisë”, thuhet më tej në deklaratën e tyre. 

Ata kanë thënë po ashtu se BE-ja është e gatshme të luajë rolin e saj të plotë, së bashku me partnerët e saj, në negociatat e ardhshme të paqes.

Rubio pas bisedimeve SHBA-Ukrainë: Topi tani në anën e Rusisë

1 muaj më parë / 11 mar 2025 19:27
Marco Rubio

Photo: Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Ukraina dhe SHBA-ja kanë ndërmarë “një hap pozitiv” gjatë bisedimeve të sotme, duke shtuar se “topi tani është në anën e Rusisë”.

Ai ka shtuar se shpreson që Rusia t'i thotë po armëpushimit 30-ditor me të cilin është pajtuar Ukraina.

Ndërkaq, këshilltari për sigurinë kombëtare të SHBA-së, Mike Waltz, ka thënë se delegacioni ukrainas e ka bërë të qartë të martën se ata "ndajnë vizionin e presidentit Trump për paqen", raporton The Guardian.

“Ukraina bëri hapa dhe propozime konkrete duke përfshirë pranimin e propozimit të Uashingtonit për një armëpushim të plotë”, ka thënë ai.

DASH: Ukraina e gatshme të pranojë armëpushim të përkohshëm

1 muaj më parë / 11 mar 2025 19:14
Fillojnë bisedimet SHBA-Ukrainë

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar të martën se Ukraina është shprehur e gatshme të pranojë propozimin e SHBA-së për një armëpushim të menjëhershëm, të përkohshëm 30-ditor pas bisedimeve të sotme të paqes që janë zhvilluar në Arabinë Saudite. 

“Armëpushimi i propozuar do të jetë i zgjatshëm me marrëveshje të ndërsjellë të të dyja palëve dhe është subjekt i pranimit dhe zbatimit nga Rusia”, thuhet ndër të tjera në deklaratë, raporton BBC. 

Ndërkohë pas takimit, ka folur edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili ka deklaruar se SHBA-ja ka bërë një ofertë, të cilën ukrainasit e kanë pranuar, "për të hyrë në një armëpushim dhe për të hyrë në negociata për t'i dhënë fund këtij konflikti në një mënyrë që të jetë i qëndrueshëm”.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, ka thënë ndërkaq se gjatë takimit është diskutuar se si të përfundojë lufta përgjithmonë dhe çfarë lloj garancish do të kenë për sigurinë afatgjatë.

Ai ka thënë se do të bisedojë me homologun e tij rus në ditët në vijim teksa sekretari Rubio do të jetë me ministrat e jashtëm të G7-ës.

“Ata do ta çojnë procesin përpara prej andej”, është shprehur ai. 

Presidentët e Ukrainës dhe të SHBA-së janë pajtuar po ashtu “që ta përmbyllin sa më shpejt që të munden” një marrëveshje gjithëpërfshirëse për mineralet.

SHBA-ja do të rikthejë ndihmën e inteligjencës dhe të sigurisë për Ukrainën

1 muaj më parë / 11 mar 2025 19:10
Lufta në Ukrainë

Photo: Associated Press

Shtetet e Bashkuara "do të heqin menjëherë pauzën për ndarjen e inteligjencës dhe do të rifillojnë ndihmën e sigurisë për Ukrainën", thuhet në një deklaratë të përbashkët nga SHBA-ja dhe Ukraina, e ndarë nga Departamenti Amerikan i Shtetit të martën.

SHBA-ja dhe Ukraina janë duke zhvilluar bisedime në Arabinë Saudite që nga mëngjesi.

Ukraina i vlerëson si “shumë konstruktive” bisedimet me SHBA-në

1 muaj më parë / 11 mar 2025 15:43
Bisedimet Ukraine-SHBA

Photo: Associated Press

Një ndihmës kryesor i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se bisedimet me SHBA-në për fundin e luftës në Ukrainë kanë qenë “shumë konstruktive”.  

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i ka thënë BBC-së se bisedimet “do të ishin të mira”, teksa po shkonte në takimin Ukrainë-SHBA në Arabinë Saudite.

Ndërkohë, tre njerëz janë vrarë nga sulmet me dronë nga Ukraina mbi rajonin e Moskës në Rusi.

Kremlini ka thënë se ky është sulmi më i madh i luftës.

E në Paris, ministrat e Mbrojtjes të rreth 30 shtete janë duke u takuar për të krijuar planet për “koalicionin e vullnetit”.

Ukraina e gatshme të bëjë gjithçka për të arritur paqen

1 muaj më parë / 11 mar 2025 10:56
Andriy Yermak

Photo: Associated Press

Ukraina kërkon paqen dhe është e gatshme të negociojë për t’i dhënë fund luftës, ka deklaruar udhëheqësi i delegacionit ukrainas, Andriy Yermak, njëkohësisht edhe shef i shtabit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për të arritur paqen”, ka thënë Yermak për gazetarët para takimit me homologët amerikanë në Arabinë Saudite.

Delegacioni ukrainas përfshin gjithashtu ministrin e Jashtëm Andriy Sybiha dhe ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov.

Ndër negociatorët amerikanë janë Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm Steve Witkoff.

Fillojnë bisedimet SHBA-Ukrainë

1 muaj më parë / 11 mar 2025 10:15
Fillojnë bisedimet SHBA-Ukrainë

Ministra e Punëve të Jashtme e Ukrainës, ka konfirmuar se delegacionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës kanë filluar bisedimet në Jeddah të Arabisë Saudite. 

VIDEO:

Bisedimet në Arabinë Saudite kanë për qëllim relaksimin e raporteve në mes të SHBA-së dhe Ukrainës, pas takimit të tensionuar të datës 28 shkurt në Shtëpinë e Bardhë midis Zelenskyt dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Temë qendrore e bisedimeve pritet të jetë propozimi i një armëpushimi në ajër dhe në det nga Kievi zyrtar, si dhe nënshkrimi i marrëveshjes për mineralet e rralla nga të dy palët, citojnë burime të afërta me AP-në.