Një përqindje e madhe e njerëzve thonë se lajmet më shumë krijojnë konflikt sesa adresojnë problemin dhe se mediat që publikojnë teori konspirative dhe thashetheme janë problem shumë i madh, ndërkaq është vlerësuar shqetësuese edhe publikimi i tepruar i opinioneve të gazetarëve nëpër storiet e tyre, ka gjetur sondazhi.
Të rinjtë përcjellin lajmet, por nuk janë fort të lumtur me ato që lexojnë. Në aspekt më të gjerë, ky është vlerësimi i një studimi të publikuar të mërkurën.
Në këtë studim 79 për qind e të rinjve amerikanë thonë se çdo ditë lexojnë lajme. Sondazhi i të rinjve të moshës 16 dhe më të moshuarve të moshës 40-vjeçare, të njohur si gjeneratat e mijëvjeçarit dhe gjenerata Z – është realizuar nga Media Insight Project, bashkëpunim mes “Associated Press” dhe American Press Institute.
Studimi hap vrima në idenë se të rinjtë nuk janë të interesuar në lajme, bindje kryesisht e nxitur nga statistikat që tregonin për audiencat më të moshuara për lajmet e televizionit dhe gazetave.
“Ata janë më të përfshirë në lajme në shumë mënyra sesa njerëzit mendojnë”, ka thënë Michael Bolden, shef ekzekutiv i American Press Institute.
Vlerësohet se 71 për qind e të rinjve përditësohen me lajme nga rrjetet sociale. Menyja e rrjeteve sociale dallon; Facebooku nuk dominon ashtu siç dominonte dikur. Gati një e treta ose e më shumë të rinjve çdo ditë ndjekin lajmet në YouTube dhe Instagram dhe më shumë se një e katërta nga TikToku, Snapchati dhe Twitteri. Tani, 40 për qind thonë se çdo ditë lexojnë lajme në Facebook, krahasuar me 57 për qind të mijëvjeçarëve që e thanë këtë gjatë një sondazhi të vitit 2015.
Mirëpo ende 45 për qind e tyre thonë se çdo ditë informohen nga burimet tradicionale, siç janë televizionet, radiot, gazetat dhe portalet.
Studimi gjithashtu bën të ditur se çereku i të rinjve thonë se vazhdimisht paguajnë për së paku një produkt mediash, siç janë revistat e shtypura apo digjitale dhe një përqindje e njëjtë thonë se kanë dhuruar para për së paku një organizatë mediatike jofitimprurëse.
Vetëm 32 për qind e tyre thonë se u pëlqen të ndjekin lajmet. Kjo është një ulje para shtatë vjetësh kur 53 për qind e mijëvjeçarëve e thoshin këtë. Më pak të rinj tani thonë se u pëlqen të flasin me familjen dhe miqtë në lidhje me lajmet.
Gjetje të tjera, të tilla si njerëzit që thonë se ndihen më keq sa më gjatë që kalojnë në internet ose që vendosin kufizime kohore për shfletimin e tyre, tregojnë për lodhjen nga lajmet, ka thënë Tom Rosenstiel, profesor i gazetarisë në Universitetin e Maryland.
“Nuk u befasova nga kjo”, ka thënë Bolden. “Ka qenë një cikël sfidues i lajmeve, sidomos në tre vjetët e fundit”.
Rreth nëntë në dhjetë të rinj thonë se keqinformimi për ngjarjet dhe temat e caktuara ka qenë problem, përfshirë rreth gjashtë nga 10 që vlerësojnë si problem të madh. Shumica e tyre thonë se vetë janë ekspozuar përballë keqinformimit.
Të pyetur se kë e mendojnë përgjegjës për përhapjen e keqinformimit, të rinjtë kanë drejtuar gishtin kah kompanitë e rrjeteve sociale, përdoruesit, politikanët dhe mediat. Të gjithë, sipas të rinjve, janë përgjegjës në masë të barabartë.
Kjo mund të befasojnë njerëzit në media që besojnë se janë duke e luftuar keqinformimin dhe se nuk janë pjesë e problemit, ka thënë Bolden. Një numër i madh i njerëzve nuk pajtohen me këtë.
“Qoftë nëse është e saktë apo jo, njerëzit në këtë biznes duhet të përballen me këtë bindje”, ka thënë ai.
Ai ka këshilluar se është e rëndësishme për organizatat e mediave që të sqarojnë më mirë punën që bëjnë dhe se si merren vendimet për mbulimin e ngjarjeve, duke bërë një hap prapa për të qartësuar se si funksionon qeveria dhe për t’i mbajtur përgjegjës liderët.
Një përqindje e madhe e njerëzve thonë se lajmet më shumë krijojnë konflikt sesa adresojnë problemin dhe se mediat që publikojnë teori konspirative dhe thashetheme janë problem shumë i madh, ndërkaq është vlerësuar shqetësuese edhe publikimi i tepruar i opinioneve të gazetarëve nëpër storiet e tyre, ka gjetur sondazhi.
Kjo ka drejtuar gishtin te kabllorët e lajmeve që pikun e shikueshmërisë e kanë të mbuluar me debate të turli problemi, shpesh duke vendosur në skenë njerëzit me qëndrime ekstreme. Shefi i ri ekzekutiv i CNN-it, Cris Lich, së fundmi i ka bërë thirrje kompanisë që të ftohë këtë segment shumë të nxehur të televizionit.
“Ka njerëz që janë rritur në botën e mediave me përplasje politike dhe kjo është bota e vetme që e njohin”, ka thënë Rosentiel, i cili ka punuar në sondazh. “Ata kanë mundur të dëgjojnë prindërit duke folur për Walter Cronkite, por nuk e kanë parë”.
Temat që njerëzit e moshës 16 deri në 40 vjeç thonë se i ndjekin më së shumti në lajme? Të famshmit, muzika dhe argëtimi me 49%, dhe ushqimi dhe gatimi me 48% kryesojnë listën. Të paktën një e treta ndjek gamën e gjerë të çështjeve tjera, duke përfshirë shëndetin dhe fitnesin, racën dhe drejtësinë sociale, mjedisin, kujdesin shëndetësor, arsimin, politikën dhe sportin.