Botë

Sofja e mohon se pejxherët që shpërthyen në Liban u prodhuan në Bullgari

Liban

Foto: Associated Press

Agjencia bullgare e sigurisë shtetërore “DANS” thotë se asnjë nga pejxherët që shpërthyen të martën në Liban dhe Siri nuk ishin importuar, eksportuar apo prodhuar në Bullgari.

Deklarata vjen pasi autoritetet bullgare hapën të enjten një hetim mbi lidhjen e mundshme të një kompanie me shitjen e pejxherëve te grupi islamist Hezbollah në Liban, i cili mbështetet nga Irani, raporton BBC.

Raportet e mediave lokale thanë se një kompani atje kishte lehtësuar shitjen e pejxherëve te Hezbollahu, sipas agjencisë së lajmeve Reuters. Duke cituar burime sigurie, transmetuesi kombëtar bTV raportoi, se 1.6 milionë euro në lidhje me transaksionin kaluan përmes Bullgarisë dhe u dërguan në Hungari. 

Të martën, sulmet me pejxherë filluan në Liban rreth orës 15:30 me kohën lokale, me shpërthime që vazhduan për rreth një orë pas shpërthimeve fillestare, dhe të cilat lanë të vdekur të paktën 12 persona dhe të lënduar mbi 2,000.

Eksplodime pati edhe të mërkurën, kur shumë radiolidhje shpërthyen duke lënë të vdekur mbi 30 persona dhe të lënduar më shumë se 600 të tjerë. 

Hezbollahu ka fajësuar për shpërthimet Izraelin.