Sulmet ruse vranë dy persona të premten vonë në qytetin juglindor të Ukrainës, Zaporizhzhia dhe tre të tjerë në veri dhe lindje të vendit, sipas zyrtarëve ukrainas.
Guvernatori rajonal i Zaporizhzhia, Ivan Fedorov, duke shkruar në aplikacionin e mesazheve “Telegram”, deklaroi se qyteti ishte goditur më shumë se 10 herë, duke lënë të vdekur dy persona dhe duke plagosur nëntë.
Fotot e postuara në internet treguan ekipet e shpëtimit duke kontrolluar rrënojat dhe blloqet e apartamenteve dhe shtëpitë me dritare dhe fasada të dëmtuara rëndë.
Në rajonin Sumy, në kufirin verior të Ukrainës me Rusinë, prokurorët thanë se forcat ruse hodhën të paktën gjashtë bomba në fshatin Krasnopillia, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur të paktën dy.
Në rajonin lindor të Donetskut, pika kyçe e avancimit të Rusisë drejt perëndimit, prokurorët thanë se forcat ruse kishin hedhur tre bomba në qytetin Kostiantynivka, afër vijës së frontit, duke vrarë një person.
Në qytetin jugor të Rusisë, Rostov-on-Don, guvernatori rajonal në detyrë Yuri Slyusar tha se një dron ukrainas goditi një ndërtesë apartamentesh në katin e 17-të, duke plagosur dy persona. Mbrojtja ajrore shkatërroi një numër të dronëve, shkroi ai në Telegram.
Në rajonin jugor rus të Voronezh, guvernatori rajonal Alexander Gusev tha se më shumë se 10 dronë ukrainas u shkatërruan. Nuk raportohet për dëme apo viktima.
Kremlini ka njoftuar këtë javë se presidenti rus Vladimir Putin kishte rënë dakord në një telefonatë me homologun e tij amerikan Donald Trump për të respektuar armëpushimin 30-ditor në infrastrukturën e energjisë.
Kjo marrëveshje nuk ishte e gjerë siç kishte kërkuar SHBA-ja, dhe e cila u pranua nga Ukraina, për një armëpushim të plotë 30-ditor. Bisedimet për arritjen e një armëpushimi janë planifikuar për javën e ardhshme në Arabinë Saudite dhe, veçmas, me zyrtarë rusë dhe ukrainas.