Prokurorët federalë kërkuan të hënën që të pushohen rastet gjyqësore ndaj presidentit të zgjedhur Donald Trump për ndërhyrje në zgjedhje dhe mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara, raporton agjencia “AP”.
Njoftimi për kërkesën që të pushohet rasti për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara, erdhi pak çaste pasi që prokurori i posaçëm Jack Smith kishte bërë një kërkesë të ngjashme në Washington për ta pushuar rastin ndaj Trumpit për komplotin për ta përmbysur rezultatin në zgjedhjet presidenciale në SHBA të vitit 2020.
Ky ishte një vendim i pritshëm pasi ekipi i Smithit kishte filluar shqyrtimin e alternativave se si t’i pushonte dy aktpaditë që kishte ngre ndaj Trumpit, atë për ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2020 si dhe atë të dokumenteve të klasifikuara që iu gjetën në shtëpi pas largimit nga detyra.
Smith tha se vendimi i tij bazohet në një praktikë të hershme të Departamentit të Drejtësisë për të mos ngre padi penale ndaj presidentëve në kohën që ata janë duke ushtruar detyrën.
Ky vendim shënon fundin e një përpjekjeje historike të Departamentit të Drejtësisë për ta mbajtur përgjegjës Trumpin, për atë që prokurorët e quajnë komplot për të mos u larguar nga pushteti, që kulmoi me sulmin e mbështetësve të tij ndaj ndërtesës së Kongresit më 6 janar të vitit 2021.
Në dokumentet e paraqitura në gjykatë prokurorët shprehen se sipas Departamentit të Drejtësisë "Kushtetuta kërkon që kjo çështje të pushohet përpara se i pandehuri të fillojë detyrën".
Gjykatësja hedh poshtë rastin ndaj Trumpit për zgjedhjet e vitit 2020
Një gjykatëse federale ka hedhur poshtë njërën nga çështjet e mëdha kundër presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, që pretendonte se ai ka kërkuar në mënyrë të paligjshme ta përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, raporton “BBC”.
Prokurori i posaçëm, Jack Smith, që kishte ngre çështjen penale kundër Trumpit, ka kërkuar që të hedhen poshtë akuzat, duke përmendur politikën e Departamentit të Drejtësisë që ndalon ndjekjen penale të një presidenti në detyrë.
Gjykatësja Tanya Chutkan e pushoi çështjen “pa paragjykime”, që do të thotë se akuzat mund të rikthehen pasi Trump ta përfundojë mandatin e tij të dytë.
Smith ka kërkuar po ashtu që rasti i tij, që akuzon Trumpin për mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara, të hidhet poshtë. Në të dyja rastet Trumpi ishte deklaruar i pafajshëm.