Parlamenti i Sllovakisë ka miratuar të mërkurën legjislacionin e hartuar nga qeveria e kryeministrit populist, Robert Fico, që mund të ndalojë efektivisht mjekët të protestojnë kundër pagave të ulëta dhe t'i detyrojë ata të vazhdojnë punën.
Ligjvënësit në Këshillin Kombëtar me 150 vende votuan 74-70 në favor të ligjit, i cili erdhi si përgjigje ndaj një kërcënimi masiv për dorëheqje nga më shumë se 3,000 mjekë nga spitalet e vendit, të cilët thanë se do të linin punën në fillim të vitit të ardhshëm, raporton AP.
Ligji i jep qeverisë fuqinë për të shpallur një emergjencë në rast se kujdesi shëndetësor mund të mos jetë i disponueshëm.
Mjekët do të detyroheshin më pas të punonin sepse njoftimet e tyre për t'u larguar nga puna nuk do të pranoheshin. Refuzimi për ta bërë këtë mund të rezultojë me burgim. Masa synon të parandalojë një kolaps të sistemit të kujdesit shëndetësor.
Masat emergjente mund të zgjasin deri në 120 ditë.
Ministri i Shëndetësisë, Kamil Shashko ka thënë gjatë debatit parlamentar se shpreson se "kurrë nuk do të detyrohet të përdorë masën", gjë që kundërshtohet ashpër nga sindikatat që përfaqësojnë mjekët.
Mjekët protestuan se qeveria nuk kishte diskutuar me ta shkurtimet e një plani të vitit 2022 që synonte rritjen e pagave të tyre në dy vitet e ardhshme.
Shkurtimet janë pjesë e masave shtrënguese të miratuara nga qeveria për të mbajtur nën kontroll deficitin buxhetor në rritje.