Skema e Maltës me “pasaporta të arta”, që ua lejon njerëzve të bëhen shtetas dhe pronarë të pasaportave të Maltës me anë të investimeve financiare, është në kundërshtim me ligjet evropiane.
Kështu ka vendosur Gjykata Evropiane e Drejtësisë, raporton “BBC”.
Komisioni i Bashkimit Evropian çoi Maltën në gjykatë në vitin 2022 për këtë skemë, e cila ua mundëson të huajve të bëhen shtetas e pronarë të pasaportave të Maltës, në këmbim të një pagese prej 600 mijë euro, duke blerë apo marrë me qira pronë me një vlerë të caktuar dhe duke dhuruar 10 mijë euro për bamirësi. Me pasaportën e Maltës ata mund të jetojnë e punojnë në çdo vend të BE-së.
Gjykata e Drejtësisë e BE-së tha se skema “shndërron fitimin e shtetësisë në një transaksion të thjeshtë tregtar”.
Qeveria e Maltës ende nuk i është përgjigjur vendimit, ndërsa ish-kryeministri Joseph Muscat e quajti “politik”.
Ai tha se beson se skema mund të vazhdojë me “disa ndryshime”.
Malta rrezikon gjoba të rënda nëse nuk respekton vendimin e gjykatës.