Baltasar Ebang Engonga, zyrtar i rangut të lartë i Guinesë Ekuatoriale, është shkarkuar, pasi qindra video ku shihet duke kryer marrëdhënie seksuale me gra të ndryshme - duke përfshirë gratë e zyrtarëve të shquar - janë bërë virale në rrjetet sociale. E shteti, po bën gjithçka të mundur për ta ndaluar shpërndarjen e mëtutjeshme të videove. Por, a ishte kjo vetëm dredhi politike, në mënyrë që të zhduket konkurrenca për president?
Atë që bota e sheh si skandal me video intime, mund të jetë në fakt episodi i fundit i dramës rreth atij që synonte të bëhej presidenti i ardhshëm i Guinesë Ekuatoriale.
Gjatë dy javëve të fundit, qindra video – vlerësimet shkojnë nga 150 deri në më shumë se 400 – kanë rrjedhur, të një nëpunësi të lartë civil duke kryer marrëdhënie në zyrën e tij ose diku tjetër me gra të tjera.
Ato janë shpërndarë gjithandej nëpër rrjete sociale, duke tronditur dhe duke befasuar njerëz nga vendi i vogël i Afrikës Qendrore dhe nga e gjithë bota.
Shumë nga gratë e filmuara ishin gra dhe të afërme të njerëzve që janë pranë qendrës së pushtetit.
Duket se disa nga gratë ishin në dijeni se po filmoheshin duke kryer marrëdhënie seksuale me Baltasar Ebang Engonga, i cili gjithashtu njihet si “Bello” (italisht për i bukur) për shkak të bukurisë së tij.
Ka qenë shumë e vështirë për t’u verifikuar nga BBC-ja, për shkak se Guineja Ekuatoriale shihet si vend shumë i kufizuar, ku liria e shtypit nuk ekziston.
Por një teori është se rrjedhjet ishin mënyrë për ta diskredituar njeriun në qendër të stuhisë.
Engonga është nipi i presidentit Teodoro Obiang Nguema dhe një nga njerëzit që besohet se do ta zëvendësojë atë.
Obiang është presidenti që ka shërbyer më së gjati në botë. Ai gjendet në pushtet nga viti 1979.
82-vjeçari ka tejkaluar zhvillimin ekonomik, i cili është kthyer në hi si rezultat i rezervave të naftës tashmë të ulëta.
Ka një elitë të vogël dhe jashtëzakonisht të pasur, por shumë nga 1.7 milionë banorët e vendit jetojnë në varfëri.
Administrata e Obiangut është kritikuar shumë për shkelje të të drejtave të njeriut, duke përfshirë vrasjet arbitrare dhe torturat, sipas një raporti të qeverisë amerikane.
Gjithashtu ka pasur një mori skandalesh, duke i përfshirë zbulimet e stilit të jetës luksoze të një prej djemve të presidentit Teodoro Obiang Mangue, tani zëvendëspresident, i cili dikur ka pasur në pronësi një dorezë me kristal 275 mijë dollarësh të veshur nga Michael Jacksoni.
Pavarësisht zgjedhjeve të rregullta, nuk ka opozitë të vërtetë në Guinenë Ekuatoriale, meqë aktivistët janë burgosur ose internuar dhe ata me lidhje me zyrën monitorohen nga afër.
Politikat në vend kanë të bëjnë me intrigat nga brenda pushtetit dhe këtu futet edhe skandali që e përfshin Engongan.
Ai ka qenë kreu i Agjencisë Nacionale të Hetimeve Financiare dhe ka punuar për parandalimin e krimeve të tilla, siç është shpëlarja e parave.
Por, ka dalë se ai gjithashtu ka qenë nën hetim.
Ai është arrestuar më 25 tetor, i akuzuar për përvetësimin e një shume të madhe parash nga arkat e shtetit dhe depozitimin e tyre në llogari sekrete në Ishujt Cayman. Ai nuk ka komentuar për akuzën.
Engonga pastaj është dërguar në burgun famëkeq, “Black Beach”, në kryeqytet, Malabo, ku pretendohet se opozitarët e qeverisë janë subjekt i torturave brutale.
Telefonat dhe kompjuterët i janë sekuestruar dhe pas disa ditësh videot intime kanë filluar të shfaqen online, nëpër rrjete sociale.
Referenca e parë që është gjetur nga BBC-ja është në Facebook më 28 tetor në faqen e “Diario Rombe”, faqe e lajmeve e udhëhequr nga një gazetar i internuar në Spanjë, ku thuhej se “rrjetet sociale kanë eksploduar nga rrjedhja e pamjeve dhe videove eksplicite”.
Një postim në X të nesërmen i referohej si “skandali monumental tund regjimin” dhe si “videot pornografike pushtojnë rrjetet sociale”.
Por, besohet se në fillim janë shfaqur një nga një disa ditë më herët në Telegram, në një nga kanalet e platformave të njohur për postime të fotografive pornografike.
Pastaj janë shkarkuar në telefonat e njerëzve dhe janë ndarë nëpër grupe të WhatsAppit në Guinenë Ekuatoriale, ku kanë shkaktuar tronditje.
Engonga është identifikuar shpejt, së bashku me disa nga gratë në video, duke përfshirë të afërme të presidentit dhe gra të ministrave dhe zyrtarëve të lartë ushtarakë.
Qeveria e ka pasur të pamundur ta injoronte atë që po ndodhte dhe më 30 tetor zëvendëspresidenti Teodoro Obiang Mangue, u ka dhënë kompanive të telekomit 24 orë për të gjetur mënyra për ta ndaluar përhapjen e videove dhe fotografive.
“Ne nuk mund të vazhdojmë duke parë familje të shkatërrohen dhe të mos bëjmë asgjë”, ka shkruar ai në platformën X. “Në ndërkohë, origjina e këtyre publikimeve po hetohet, në mënyrë që të gjendet autori ose autorët dhe t’i vëmë para përgjegjësisë për veprimet e tyre”.
Ndërsa pajisjet kompjuterike kanë qenë në duart e forcave të sigurisë, dyshimet kishin rënë në dikë atje, i cili, ndoshta, ka synuar t’ia prishë reputacionin Engongas para zgjedhjeve.

Policia u ka bërë thirrje grave të shkojnë dhe ta hapin rastin kundër Engognas për ndarje jokonsensuale të pamjeve ose videove intime. Njëra veç se ka deklaruar se është duke e paditur.
Çka nuk është e qartë është pse Engonga i ka bërë xhirimet. Por, aktivistët kanë shprehur mendimin rreth motiveve të rrjedhjes së pamjeve eksplicite.
Përveçse është i lidhur me presidentin, Engonga është djali i Baltasar Engonga Edjo’o, kreut të unionit ekonomik dhe monetar rajonal “Cemac”, dhe me shumë ndikim në këtë shtet të Afrikës Qendrore.
“Çfarë po shohim ne është fundi i një epoke, fundi i presidentit aktual dhe ka vazhdimësi (të pyetjeve) dhe kjo është lufta e brendshme që po shohim”, ka thënë aktivisti i Guinesë Ekuatoriale, Nsang Christia Esimi Cruz, që tani jeton në Londër.
Ai ka pretenduar se zëvendëspresidenti Obiang është përpjekur t’i eliminojë politikisht “ata që mund ta sfidojnë pasuesin e tij”.
Zëvendëspresidenti, së bashku me nënën e tij, janë të dyshuar se “eliminojnë” çdokënd që ia rrezikon rrugën drejt presidencës, duke e përfshirë Gabriel Obiang Liman (djali tjetër i presidentit Obiang, me një grua tjetër), i cili ka qenë ministri i naftës për 10 vjet dhe pastaj ka ndryshuar pozitën, duke marrë një rol dytësor qeveritar.
Njerëzit e elitës mendohet se dinë gjëra për njëri-tjetrin, të cilat nuk duan t’i bëjnë publike, dhe videot janë përdorur në të kaluarën për t’i poshtëruar dhe turpëruar kundërshtarët politikë.
Të shpeshta janë edhe akuzat për grusht shtet, gjë që e ushqen më tej paranojën.

Por, Cruzi gjithashtu pretendon se autoritetet dëshirojnë ta përdorin skandalin si arsyetim i përpjekjeve për t’i parandaluar aktivitetet e paligjshme në rrjetet sociale, përmes së cilave dalin shumë nga informacionet për atë që po ndodh në vend.
Në korrik, autoritetet në mënyrë të përkohshme kanë ndaluar internetin, pasi kanë shpërthyer protestat në ishullin Annobón.
Për të, fakti që një zyrtar i gradës së lartë po kryente marrëdhënie seksuale jashtëmartesore nuk ka qenë befasuese, meqë ishte pjesë e jetës dekadente të elitës së vendit.
Zëvendëspresidenti, i cili vetë ka qenë i dënuar për korrupsion në Francë dhe i janë sekuestruar pasuri të mëdha në vende të ndryshme, dëshiron të shihet si njeriu që e ndalon ryshfetin dhe keqbërjen në vendin e tij.
Vitin e kaluar, për shembull, ai ka urdhëruar arrestimin e vëllait të tij nga babai, mbi pretendimet se ka shitur një aeroplan që i përkiste linjës ajrore të shtetit.
Por në këtë rast, pavarësisht përpjekjeve të zëvendëspresidentit për ta ndaluar shpërndarjen e klipeve, ato vazhdojnë të shikohen në mbarë botën.
Këtë javë, ai është përpjekur të shfaqet më i vendosur, duke bërë thirrje për instalimin e kamerave CCTV në zyrat e Qeverisë “për t’i luftuar aktet e pahijshme dhe të paligjshme”, ka raportuar agjencia zyrtare e lajmeve.
Duke thënë se ky skandal “ka prishur imazhin e shtetit”, ai ka urdhëruar që të gjithë zyrtarët që kapen duke kryer akte seksuale në punë, do të pezulloheshin pasi kjo ishte “shkelje flagrante e kodit të sjelljes”.
Ai nuk e kishte gabim që historia ka tërhequr shumë vëmendje dhe interes të huaj.
Duke gjykuar nga të dhënat e Google, mekanizmat e kërkimit që e përfshijnë emrin e vendit janë shtuar që nga fillimi i kësaj jave.
Të hënën, në X, “Guineja Ekuatoriale” ka qenë termi i famshëm në Kenia, Nigeri dhe Afrikë të Jugut – duke ia kaluar ndonjëherë zgjedhjeve të SHBA-së.
Kjo i ka lënë disa aktivistë, të cilët kanë qenë duke u përpjekur t’i tregojnë botës për atë që po ndodh në vend, të frustruar.
“Guineja Ekuatoriale ka probleme më të mëdha sesa ky skandal seksual”, ka thënë Cruz, i cili punon për një organizatë të të drejtave, të quajtur GE Nuestra. “Ky skandal seksual për ne është vetëm simptomë e sëmundjes, jo vetë sëmundja. Ky rast vetëm tregon se sa i korruptuar është sistemi”.