Më 30 prill një aeroplan Airbus A330 i kompanisë italiane Ita Airways kishte fluturuar nga aeroporti JFK i New Yorkut për në aeroportin Fiumicino në Romë, shkruan gazeta zvicerane "Blick".
Fluturimi kishte qenë i zakonshëm deri afër arritjes te destinacioni. Por, kur aeroplani kaloi në hapësirën ajrore franceze në Marseille, u ndez alarmi.
Arsyeja, pasi nuk po mund të kontaktohej me pilotët. Po mendohej për më të keqën, se aeroplani ishte marrë nën kontroll nga terroristët. Dy aeroplanë ushtarakë francezë u ngritën për të përcjellë aeroplanin dhe nëse shohin rrezik edhe ta sulmojnë.
Por pas afro dhjetë minutave tentim për të vënë kontakt, pilotët u përgjigjën dhe arritën në Romë më pas. Siç njofton “Aerotelegraph”, ITA Airways ka hetuar rastin. Piloti është shkarkuar nga puna. Kompania beson se piloti dhe ndihmës-piloti ishin duke fjetur gjatë fluturimit dhe kjo ishte arsyeja pse nuk u përgjigjën. Thuhet se aeroplani ishte vendosur në “autopilot”.
Mirëpo, piloti mohon këtë. Ai thotë se arsyeja pse nuk u përgjigj ishte një defekt në radiolidhjen.
Pas një kontrolli në aeroplan nuk u zbulua se kishte defekt.
Shkarkimi nga puna i pilotit po kritikohet nga Sindikata e Punëtorëve Nav Aid Pilotiaz. Sindikata thotë se nuk ka mundur të dëshmohet deri tash se piloti ishte duke fjetur.