Botë

S’ka vija të kuqe kur bëhet fjalë për Ukrainën, thotë ministri i Jashtëm francez

Jean-Noël Barrot

Foto: Associated Press

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot ka thënë se aleatët perëndimorë nuk duhet të vendosin asnjë kufi në mbështetjen për Ukrainën kundër Rusisë dhe “të mos vendosin dhe shprehin vija të kuqe”.

Komentet e Barrot dhënë për BBC-në janë domethënëse, që vijnë disa ditë pasi raketat me rreze të gjatë veprimi të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe u përdorën për herë të parë për ta sulmuar Rusinë.

Barrot ka thënë se Ukraina mund të lëshonte raketa franceze me rreze të gjatë veprimi në Rusi "në logjikën e vetëmbrojtjes", por nuk ka konfirmuar nëse armët franceze janë përdorur tashmë.

“Parimi është vendosur… mesazhet tona për presidentin Zelensky janë pritur mirë”, ka deklaruar ai.

Franca e ka furnizuar Ukrainën me raketën “Scalp”, e cila është identike me “Storm Shadoë” të furnizuar nga Britania, që Ukraina thuhet se e ka përdorur tashmë brenda Rusisë.

“Ne do ta mbështesim Ukrainën aq intensivisht dhe për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Pse? Sepse është siguria jonë ajo që është në rrezik. Sa herë që ushtria ruse përparon me një kilometër katror, kërcënimi i afrohet Evropës një kilometër katror”, ka shtuar ai.

I pyetur nëse mbështetja "pa kufi" mund të përkthehet në trupat franceze në luftime, Barrot ka thënë se nuk e hedhin poshtë asnjë opsion.