Botë

Sivjet 349 gra të vrara në Turqi

Disa protestues janë arrestuar nga policia turke në protestën e përvitshme që mbahet në Stamboll kundër dhunës ndaj grave. Presidenti Erogan e ka larguar Turqinë nga Konventa e Stambollit që mbron gratë. Ndërsa vetëm sivjet në Turqi janë vrarë 349 gra, kryesisht viktima të bashkëshortëve dhe partnerëve të tyre

Policia në Stamboll, të premten, ka shpërndarë protestën e thirrur kundër dhunës ndaj grave, e cila bënte thirrje për kthimin e Turqisë në traktatin që i mbron ato. Policia turke ka arrestuar disa prej protestueseve.

Protestuesit kanë tentuar të marshojnë në drejtim të rrugës Istiklal për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Grave. Mirëpo protestuesit nuk e kanë respektuar urdhrin e autoriteteve që kanë ndaluar tubimet e mëdha për shkaqe sigurie.

Policia fillimisht ka pamundësuar hyrjen e protestuesve në Istiklal, i ka rrethuar ata dhe më pas i ka arrestuar disa prej tyre.

Istiklal më 13 nëntor ishte cak i sulmit me bombë në të cilin u vranë gjashtë persona. Që prej sulmit ka prezencë të madhe të policisë nëpër rrugët e Stambollit.

Autoritetet turke kanë fajësuar grupet militante të kurdëve, por këto grupe kanë mohuar përfshirjen në sulm.

Autoritetet në Stamboll të premten kanë ndaluar muzikën, ekspozitat dhe tezgat e ushqimit në rrugën Istiklal.

Në vitin 2021, presidenti Recep Tayyip Erdogan largoi Turqinë nga Konventa e Stambollit, duke nxitur reagimin e grupeve për të drejtat e grave dhe shteteve perëndimore. Vendimi për largim u bë me argumentin se Konventa nuk përputhej me vlerat konservatore të Turqisë pasi përkrahte shkurorëzimet dhe kërcënonte familjet tradicionale në Turqi.

“Çdo 25 nëntor ne dalim në rrugë dhe i nënshtrohemi qartë dhunës policore, teksa burokracia shtetërore dhe administrata kritikojnë dhunën ndaj grave duke thënë se e kundërshtojnë atë. Kjo nuk është aspak e sinqertë, sepse nëse ata janë vërtet të sinqertë, atëherë pse u anulua Konventa e Stambollit?” ka thënë Rojda Aksoy, studente në Stamboll.

Në fillim të vitit Parlamenti ka miratuar ligjin që zgjat dënimet me burg për të gjitha krimet në të cilat gratë janë viktima.

Mirëpo, grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se këto masa nuk janë të mjaftueshme për t’i mbrojtur gratë.

“Ne jemi sot në rrugën ‘Istiklal’, më 25 nëntor, në ditën e luftës kundër dhunës ndaj grave, për t’u ngritur në këmbë për të drejtat tona, për të mbrojtur të drejtat tona, jetën tonë dhe të njëri-tjetrit, por siç e shihni të gjitha protestat tona janë të ndaluara nën fashizmin serioz. Të gjitha rrugët janë të bllokuara me barrikadat. Kjo tregon vetëm një gjë, tregon vërtet frikën e qeverive në luftën për jetën dhe lirinë e grave, veçanërisht në Iran, e cila tashmë është përhapur në të gjithë botën”, ka thënë Oya Ersoy, deputete pro-kurde pjesëmarrëse në protestën e madhe në Stamboll.

Së paku 349 gra janë vrarë vetëm sivjet në Turqi. Autoritetet kanë ndaluar tubime të tilla edhe në të kaluarën, duke nxitur përplasjen e protestuesve me policinë.