Sirianët po votojnë të hënën në zgjedhjet për Parlamentin e ri, që mund të hapin rrugën për një ndryshim kushtetues, për të zgjatur mandatin e presidentit, Bashar al Assad.
Votimi është i katërti në Siri që nga protestat masive antiqeveritare në vitin 2011, dhe një goditje brutale nga forcat e sigurisë, që u shndërrua në një luftë civile të vazhdueshme, raporton AP.
Zgjedhjet parlamentare të Sirisë të vitit 2024 përjashtojnë Sirinë veriperëndimore të kontrolluar nga rebelët dhe verilindjen e vendit nën Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Numri i votuesve me të drejtë vote nuk është shpallur, dhe ndryshe nga zgjedhjet presidenciale, miliona sirianë të diasporës, numri i të cilëve është rritur që nga lufta civile, nuk janë të kualifikuar për të votuar për ligjvënësit.
Vendet perëndimore dhe kritikët e Asadit thonë se votimi në zonat e kontrolluara nga qeveria në Siri nuk është as i lirë dhe as i drejtë.
Këtë vit, 1516 kandidatë të miratuar nga qeveria konkurrojnë për Kuvendin Popullor prej 250 vendesh.
Rreth 8,151 qendra votimi u hapën në 15 zona votimi në zonat e kontrolluara nga qeveria, me rezultatet që priten të shpallen të hënën mbrëma ose të nesërmen.
Në rundin e fundit të zgjedhjeve në vitin 2020, rezultati u vonua me ditë për shkak të çështjeve teknike, sipas zyrtarëve. Partia "Baath: e Asadit fitoi 166 vende, përveç 17 të tjerave nga partitë aleate, ndërsa 67 vende iu takuan kandidatëve të pavarur.