Ministri i Jashtëm i Sirisë ka thënë të martën se dialogu mes Sirisë dhe Turqisë duhet të paraprihet nga njoftimi i Ankarasë se do të tërheqë trupat nga të gjitha territoret siriane që ajo i kontrollon.
Faisal Mekdad i bëri komentet gjatë një konference të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm në detyrë të Iranit, Ali Bagheri Kani, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
“Kushti kryesor për çfarëdo dialogu siriano-turk është që shteti turk të shpallë gatishmërinë e tij për t’u tërhequr nga tokat siriane”, ka deklaruar Mekdad.
Vërejtjet e Mekdadit erdhën pasi javën e kaluar, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se Ankaraja nuk do të hezitojë të veprojë kundër grupeve të udhëhequra nga kurdët në Sirinë veriore, nëse ata vazhdojnë me planet për të mbajtur zgjedhjet lokale në rajon më 11 qershor.
Turqia ka zhvilluar tri operacione të mëdha ndërkufitare në Siri që nga viti 2016 dhe i kontrollon disa territore në veri.
Përpjekjet për pajtim midis Sirisë dhe Turqisë kanë dështuar të arrijnë përparim që nga fillimi i vitit 2023, pavarësisht takimeve në Moskë midis ministrave të jashtëm të vendeve dhe ministrave të mbrojtjes.