Papa Françesku vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare. Ai ishte latino-amerikani i parë që shërbeu si papë në histori të kishës.
Sipas traditës, vdekja e papës u konfirmua nga departamenti i Shëndetësisë së Vatikanit. Kjo bëhet zyrtare nga kardinali i dhomës (camerlengo, në italisht) Kevin Joseph Farrell.
Ceremonitë pasuese përcillen në mënyrë private.
Varrimi dhe ritet tjera do të kryhen deri në gjashtë ditë pas vdekjes së Papës.
Pas vdekjes së tij, kardinali vulos apartamentin në Shtëpinë e Shën Martës, ku ai zgjodhi të jetonte gjatë udhëheqjes.
Procedurat e para
Vula që ai përdorte për të nënshkruar dokumente duhet të shkatërrohet para Kolegjit të Kardinalëve.
Kjo shënon fillimin e periudhës së quajtur ‘sede vacante’ ku Kisha Katolikë është pa papë dhe përgatitet për “konklavën” – mbledhjen sekrete ku kardinalët zgjedhin papën e ri.
Papa është udhëheqës i Kishës Katolike dhe ka autoritet mbi 1.4 miliardë njerëz. Katolikët besojnë se është lidhje direkte me Jezu Krishtin.
Krahas Biblës, mësimet e tij ndihmojnë në formimin e besimeve dhe praktikave të Kishës. Konfesionet tjera të krishtera, si protestantët dhe ortodoksët, nuk e njohin autoritetin e tij.

Brenda Konklavës
Janë 135 kardinalë nën moshën 80-vjeçare, që zgjedhin pasuesin e Papa Françeskut. Kardinalët janë klerikë të lartë, që emërohen nga Papa dhe që kanë detyra të rëndësishme si këshilltarë të afërt e që shërbejnë nëpër dikastere të ndryshme (ministri kishtare të Vatikanit). Kolegji i kardinalëve është grupimi i të gjithë kardinalëve.
Françesku ka emëruar 108 nga 135 kardinalët. Kjo rrit – por s’garanton – se papa i ardhshëm do ta ketë vizionin e njëjtë progresiv, brenda Kishës Katolike.
Shumica e kardinalëve votues janë nga Evropa, trend që ka qenë i vazhdueshëm me shekuj.
Por qendra gejografike e Kishës Katolike po ndryshon gradualisht. Kardinalët aziatikë, historikisht të nënpërfaqësuar, tani zënë rreth çerekun e burrave që mund të jenë në konklavë.
Sapo që Papa të varroset, dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Giovanni Battista Re, ka 15 deri 20 ditë që t’i mbledhë kardinalët në Romë.
Gjatë konklavës (mbledhjes sekrete) kardinalët duhet të jetojnë në Shtëpinë e Shën Martës. Papa jetoi aty gjatë udhëheqjes. Kardinalët duhet të ecin përditë brenda hapësirave dhe të gjitha bisedat me njerëzit e jashtëm janë të ndaluara gjatë periudhës.
Besimtarët mblidhen në sheshin Shën Peter gjatë konklavës, duke pritur momentin kur tymi të dalë nga oxhaku i objektit.
Zgjedhja e Papës
Zgjedhja e Papës është tejet zor të parashikohet sepse gjithçka organizohet në një proces tejet sekret. Sapo kardinalët hyjnë në “Kapela Sistine”, ata s’komunikojnë me askënd jashtë deri të zgjidhet papa i ri.

Të vetmit njerëz të jashtëm që lejohen të hyjnë janë mjekët, zyrtarët e ceremonive, kuzhinierët dhe pastruesit. Por gjithçka bëhet nën betimin e mbajtjes sekrete të gjithçkaje.
Kardinalët hedhin votat në një letër që në gjuhën latine shkruan “Unë zgjedh si papë suprem”. Ata ecin në rresht, sipas moshës, dhe vendosin letrat brenda një urne të argjendtë.
Tre asistentë më pas numërojnë votat. Pas leximit me zë të lartë, letrat bashkohen dhe digjen.

Dy furra janë në ambientin e brendshëm dhe njëra përdoret për të djegur letrat e tjetra për të nxjerrë tym si sinjal se kah ka shkuar vota. Tymi përzihet me kemikale për të nxjerrë ngjyrë të zezë nëse ka votim të pasuksesshëm apo me të bardhë nëse një papë i ri është zgjedhur.
Për të zgjedhur papën e ri duhen 2/3 e votave. Kjo kërkon kohë. Kardinalët votojnë deri në 4 herë në ditë. Nëse, pas 33 runde votimesh, ende mungon vendimi, një garë direkte (balotazh) do të zhvillohet midis dy kandidatëve më të votuar.
S’është e pazakontë që votimi të zgjatë disa ditë – hera më e gjatë në histori ka qenë më 1268 kur zgjedhja zgjati dy vjet e nëntë muaj.
Pas disa ndryshimeve për të përshpejtuar procesin, që nga fillimi i shekullit 20 konklava ka zgjatur mesatarisht tre ditë. Më e gjata në këtë shekull ka qenë më 1922 – pesë ditë.
Edhe Papa Françesku edhe Benedicti XVI u zgjodhën pas dy ditësh.
Lëshimi i tymit të bardhë shoqërohet me kambana.
Pas zgjedhjes
Sapo që papa zgjidhet, ai duhet të pranojë detyrën para Kolegjit të Kardinalëve dhe të zgjedhë emrin e tij si papë.
Në konferencën pas zgjedhjes, Papa Françesku ka thënë se për emrin e tij u inspirua nga miku i tij brazilian, kardinali Claudio Hummes. Ai pati thënë se emri i tij është në nder të Shën Françeskut të Asizit.
“Mos i harro të varfrit”, i pati thënë Hummes kur Françesku mori titullin.
Për më shumë se 500 vjet, papat kishin përdorur emrat e tyre. Kjo ndryshoi në emra simbolikë për të thjeshtuar emrat e tyre. Pikërisht kjo është arsyeja kryesore përse shumica e papëve kanë zgjedhur emrin John.
10 emrat më të famshëm të papëve:
- John – 21
- Gregory – 16
- Benedict – 15
- Clement – 14
- Innocent – 13
- Leo – 13
- Pius – 12
- Stephen – 9
- Boniface – 8
- Urban – 8
Pasi cakton emrin, Papa merr rrobat në një paradhomë. Ajo që ai zgjedh për të veshur në minutat e parë është vendim personal. Françesku pati refuzuar të kuqen ceremoniale duke zgjedhur ngjyrën e bardhë.
Në ballkonin e Bazilikës së Shën Peterit, me pamje kah sheshi, Papa i ri prezantohet para qindra besimtarëve të mbledhur nga e gjithë bota.
Njoftimi tradicional në shesh është: "Annuntio vobis gaudium magnum... habemus papam!" –
“Ju prezantoj me kënaqësi të madhe... kemi Papë të ri”.
