Botë

Si i kanë bartur egjiptianët gurët e rëndë për t’i ndërtuar piramidat

Piramida e Dosjerit

Egjiptianët e lashtë ndërtuan Piramidën e Djoserit. Me një lartësi prej rreth 62 metrash, ajo ishte struktura më e lartë e kohës në shekullin XXVII para lindjes së Krishtit. Megjithatë, metoda me të cilën ata ndërtuan piramidën, duke përdorur gurë që peshonin rreth 300 kilogramë, mbetet një mister që i ka habitur ekspertët për shekuj me radhë. Kohëve të fundit inxhinierët dhe gjeologët prezantuan një teori të re që sugjeron se një lift hidraulik mund të ishte përdorur për t’i ngritur gurët e rëndë në mes të piramidës më të vjetër

Për vite egjiptologët kanë debatuar për mënyrën se si janë ndërtuar piramidat antike të Egjiptit më shumë se 4.000 vjet më parë. Tani, një ekip me inxhinierë dhe gjeologë kanë sjellë një teori të re – një pajisje ngritëse hidraulike që ka ngre lart gurët e rëndë në mes të piramidës më të vjetër të Egjiptit duke përdorur ujin e mbledhur.

Egjiptianët antikë e kanë ndërtuar piramidën e shkallëve për faraonin Djoser në shekullin XXVII para lindjes së Krishtit dhe ka qenë struktura më e lartë në atë kohë, rreth 62 metra e lartë. Por, se si është ngritur monumenti, me gurë të mëdhenj që peshojnë gati 300 kilogramë, ka qenë mister disashekullor, sipas studimeve të publikuara nga revista “PLOS One”.

“Shumë publikime të detajuara kanë diskutuar për procedurat e ndërtimit të piramidave dhe kanë dhënë elemente të rëndësishme, por këto zakonisht janë fokusuar në piramidat më të vogla, të reja dhe më mirë të dokumentuara të mbretërive të Kohës së Mesme dhe të Re (1980 deri 1075 para lindjes së Krishtit)”, ka thënë autori kryesor, Xavier Landreau, drejtor ekzekutiv i “Paleotechnic”, institut privat i studimeve. 

“Teknikat përfshijnë vinçat, çikrikët, ashensorët e ndërrimit, ngritësit, strumbullarët ose një kombinim të këtyre metodave”, ka shtuar ai. “Por sa u përket piramidave të Mbretërisë së Vjetër (2675 deri 2130 para Krishtit), që janë më të mëdha? Teksa fuqia punëtore mund të ketë qenë forca kryesore e ndërtimit të strukturave të vogla, teknika të tjera mund të jenë përdorur për piramidat e mëdha”.
Punimi i ri është raportimi i parë i një sistemi që është në përputhje me arkitekturën e brendshme të Piramidës së Djoserit, kanë shkruar autorët.

Një sistem kompleks i trajtimit të ujit që mbështetet në burimet lokale do të kishte lejuar funksionin e një ashensori me energji uji brenda boshtit të brendshëm vertikal të piramidës. Sipas studimit, lundrimi do t’i kishte ngritur gurët e rëndë deri në mes të piramidës.

Edhe pse teoria është një “zgjidhje gjeniale”, disa egjiptologë nuk janë të bindur, sepse teoria që është gjerësisht e besueshme është se egjiptianët antikë kanë përdorur struktura dhe pajisje të transportit për t’i vendosur gurët nëpër vende, ka thënë egjiptologu David Jeffreys, ish-pedagog i arkeologjisë egjiptiane në Kolegjin Universitar të Londrës, i cili nuk ishte i përfshirë në studim. 

Shkretëtira e Egjiptit ka qenë dikur savanë 

Duke i analizuar të dhënat, duke e përfshirë paleoklimatologjinë, studim i klimave antike dhe datave arkeologjike, ekipi i studimit ka sugjeruar se uji nga burimet antike ka rrjedhur nga perëndimi i rrafshnaltës Saqqâra në një sistem me llogore dhe tunele të thella me ujë, që e ka rrethuar Piramidën e Djoserit. 

Uji gjithashtu mund të ketë rrjedhur nëpër Gisr el-Mudir - një strukturë gëlqerore drejtkëndëshe që ka masë masive 650 x 350 metra – që mund të ketë funksionuar si digë kontrolluese. Kjo pajisje, që është menduar të jetë fortesë, zonë festimi ose rrethim për bagëtitë, do të kontrollonte dhe mbante rrjedhat e mëdha të ujit, si dhe t’i filtronte mbeturinat dhe lloçin në mënyrë që të mos e bllokonin vendkalimin e ujit.

Sistemi teorik i trajtimit të ujit jo vetëm që do të lejonte kontrollimin e ujit gjatë ngjarjeve të përmbytjeve, por gjithashtu do të “ketë siguruar cilësinë dhe sasinë e duhur të ujit si për qëllime konsumi, ashtu edhe për ujitje, transport ose ndërtim”, ka thënë bashkautori, Guillaume Piton, studiues me Institutin Kombëtar të Hulumtimeve për Agrikulturë, Ushqim dhe Mjedis në Francë, ose INRAE.

Autorët kanë vënë në dukje disa studime të mëhershme që kanë gjetur se Shkretëtira e Saharës ka pasur më shumë reshje të rregullta mijëra vjet më parë sesa ka tani. Peizazhi do t’i ketë ngjarë më shumë një savane, e cila do të mbështeste më shumë bimë sesa kushte të thata të shkretëtirës. Gjithsesi, ka debat se kur saktësisht kanë qenë më të lagështa kushtet e klimës.

Mund të ketë pasur mjaftueshëm ujë për ta mbështetur një sistem të tillë si lift hidraulik, ka thënë Judith Bunbury, gjeoarkeologe në Universitetin e Cambridge në Londër. Ajo ka vënë në dukje studimet e kaluara që kanë gjetur se ulluqet e ujit të shiut që janë ndërtuar dhe përdorur në Mbretërinë e Vjetër, si dhe studimet e kaluara që kanë studiuar dietën e zogjve në atë kohë, që ka përfshirë specie të moçaleve si bretkosat.

“Besohet gjerësisht se ka pasur më shumë shi në Mbretërinë e Vjetër, sidomos në Mbretërinë e Vjetër kur është ndërtuar Piramida e Djoserit”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, ekspertët debatojnë nëse ka pasur mjaft reshje të shiut për t’i mbushur strukturat që do të kenë mbështetur liftin hidraulik, si “Dry Moat”, kanal gjigand që rrethon Piramidën e Djoserit dhe strukturat pranë, që autorët e tjerë besojnë se ka mbledhur ujin që ka ndihmuar në funksionimin e liftit kur është përdorur.

Periudha më e gjelbër e Saharës me gjasë ka mbaruar në fillim të mileniumit të tretë para Krishtit, sipas Jeffreys. Reshjet e dobëta të shiut nuk do të ishin në gjendje t’i ngrinin strukturat deri në atë pikë sa ishte e nevojshme për liftin hidraulik dhe për më tepër nuk do të ishin në gjendje të përballeshin me humbjen e ujit brenda gurit gëlqeror të strukturës, ka shtuar Fabian Welc, drejtor i Institutit të Arkeologjisë në Universitetin Kardinal Stefan Wyszynski në Varshavë, Poloni. 
“Ka pasur klimë më të lagësht (shira sezonal, të dimrit) në Egjiptin verior (gjithashtu në Saqqāra) gjatë Dinastisë së 3-të (2670-2613 para Krishtit), por intensiteti i tyre ka qenë i ulët. Këto shira, edhe nëse e kanë mbushur llogoren e thatë me ujë, nuk do të kishte qenë në gjendje ta mbushnin hapësirën ... këta ujëra do të thaheshin menjëherë nëpër shkëmbinj”, ka thënë Welc.

Autorët e studimit kanë rënë dakord se ka shumë pak gjasa që sistemi të jetë mbushur me ujë në mënyrë të përhershme dhe kanë argumentuar se ka shumë të ngjarë që përmbytjet e kohës mund të kenë furnizuar mjaftueshëm ujë për ta mbështetur liftin hidraulik gjatë ndërtimit të piramidës. Gjithsesi, duhet të kryhen akoma studime për ta ditur se sa reshje të shiut dhe përmbytje kanë ndodhur gjatë kësaj kohe, kanë thënë autorët e studimit.

Kjo nuk është hera e parë që Nili është hetuar për të parë nëse ka luajtur rol në ndërtimin e piramidave. Një studim i publikuar në maj ka gjetur një degë të tharë të lumit masiv dhe është dhënë teoria që burimi ka gjasë të jetë përdorur për t’i transportuar blloqet masive të gëlqeres në zonën e ndërtimit të disa piramidave. Ka gjithashtu prova se egjiptianët antikë kanë përdorur hidraulikët në një shkallë më të vogël, ka thënë Jeffreys.

Misteri i strukturave të egjiptianëve antikë

Studiuesit më herët nuk e kanë caktuar qëllimin e qartë të boshtit vertikal brenda Piramidës së Djoserit. Disa piramida më të vonshme, siç është Piramida e Madhe e Gizës, kanë boshte që mendohet që janë përdorur për ventilim dhe ka gjasa që boshti i brendshëm të jetë përdorur për dritë ose për të liruar presion nga dhoma poshtë, ka thënë Jeffreys. Por si e para e llojit të vet, Piramida e Djoserit ka qenë strukturë eksperimentale që besohet se ka nisur si “mastaba” (varrezë e rrafshët) dhe është ndërtuar pastaj sipër saj, prandaj mbetet e paqartë se për çfarë saktësisht synoheshin tiparet e saj të brendshme, ka shtuar ai.

Boshti brenda Piramidës së Djoserit është i lidhur me një tunel 200 metra të gjatë nëntokësor që lidhet me një bosht tjetër vertikal jashtë piramidës. Boshti i jashtëm mund të jetë lidhur me një sektor të hamendësuar të transportimit të ujit në llogoren e thatë, por kërkohen studime të mëtutjeshme, kanë shkruar autorët e studimit.

Boshti i brendshëm fillon menjëherë poshtë piramidës afër qendrës, ku një kuti prej graniti qëndron në bazën e tij. Kutia besohet gjerësisht të jetë dhoma e varrimit të Mbretit Djoser, por në vend të kësaj, autorët sugjerojnë se është ndërtuar për ta hapur dhe mbyllur liftin hidraulik, duke e lejuar ujin ta mbushte boshtin kur përdorej.

Sa i përket faktit nëse piramidat tjera janë ndërtuar duke e përdorur këtë metodë, Landreau ka thënë se nevojitet hetim shtesë. “Mund ta mbajë çelësin e zbulimit të misterit se si janë ngritur monolitet më të mëdha, të gjetura në piramidat e Khufus ose Khephren. Këto monolite peshojnë dhjetëra tonë, duke e bërë të pamundur për ato të ngritën duke e përdorur vetëm fuqinë punëtore. Anasjelltas, një lift hidraulik me madhësi të moderuar mund të ngrejë 50 deri në 100 tonë. Eksplorimi i boshteve të fshehura brenda këtyre piramidave mund të jetë rrugë premtuese për kërkime”, ka shtuar ai.
Pavarësisht mistereve mbi 4000-vjeçare të piramidave dhe tipareve të tyre, ka dokumentim të mjaftueshëm se egjiptianët antikë kanë përdorur teknologji të caktuara të tilla si skela dhe rampa me tulla balte për të ndihmuar në ndërtimin e strukturave të ndryshme, ka thënë gjeoarkeologia Bunbury nga Universiteti i Cambridge, ndërsa sipas dijenisë së saj nuk ka asnjë dokumentim apo përshkrim të një pajisjeje ngritëse me energji uji.

“Mendoj se njerëzit, që nga antikiteti, kanë qenë të inspiruar nga piramidat si projekt masiv i ndërtimit”, ka thënë Bunbury. “Dhe e kanë parë si mjaft të vështirë ta besojnë se janë ndërtuar nga njerëzit normalë të kohës, pjesërisht sepse ka ndodhur shumë kohë më parë. Është e çuditshme që ka kaq shumë propozime se çfarë mund të ketë qenë inovacioni teknologjik, teoria e së cilit u hodh përsëri më pas, kur e dimë se ata gjithsesi kishin zgjidhje teknike për këto gjëra”.
“Kjo nuk do të thotë që lifti hidraulik nuk është përdorur”, ka shtuar ajo. “Por, ka lloj më të thjeshtë të teorisë dhe ne bazohemi në atë që veç e dimë”.